Përballje

Peja dhe Golden Eagle Ylli nisin të premten ndeshjet e finales së madhe në basketbollin kosovar


Tashmë Five Star Superliga e Kosovës në basketboll, ka arritur në finalen e madhe.

Peja dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në finalet e “Play-offit” të këtij edicioni në elitën e basketbollit kosovar.

Sfida e parë zhvillohet të premten mbrëma në Pejë dhe skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës.

Për të arritur në finale, skuadra e Pejës e mposhti në çerekfinale Sigal Prishtinën pas tri ndeshjeve të luajtura me rezultat 2:1.

Në gjysmëfinale u përball me Ponte Prizrenin, të cilët arritën serinë e ndeshjeve në 2:2, ku më pas ndeshja e pestë i takoi pejanëve me rezultat 20:0, pasi që ndeshja u ndërpre në pjesën e parë, për shkak të përleshjes që ndodhi në Prizren.

Finalisti tjetër, Golden Eagle Ylli, për të arritur në finale, mposhti Bashkimin në çerekfinale me serinë e ndeshjeve në 2:1.

Derisa gjysmëfinalja me Rahovecin ishte shumë interesante dhe pas pesë ndeshjeve e mposhti me serinë 3:2.

Ky edicion ka qenë njëri ndër më të barabartit që nga paslufta, me shumë takime interesante dhe kështu pritet edhe në finale.

Për Golden Eagle Yllin, kjo është hera e parë që ndodhet në finale të “Play-offit”, edhe pse në vitet e fundit ka investuar mjaft në basketbollin e Kosovës.

Trofeun e vetëm, ata e fituan në edicionin e parë të Ligës Unike, të cilët në finale e mposhtën pikërisht Pejën me rezultat 79:82.

Gjithashtu Peja dhe Ylli u përballen edhe në finalen e kupës, të cilën e humben me rezultat 79:64.

Ndërsa, Peja e ka fituar titullin kampion i Kosovës pesë herë në historinë e saj, kurse hera e fundit që fitoi ishte edicioni 2013.

Edicionin e rregullt në Ligë, Ylli e kishte përfunduar në pozitën e tretë me 45 pikë, të cilit kishin koleksionuar 17 fitore, kundrejt 11 humbjeve.

Ndërsa Peja e përfundoi sezonin e rregull në vendin e katërt me 43 pikë, të cilët arritën 15 fitore dhe 13 humbje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore