Shqipëria

Pedagogu vë përballë Ramën dhe Metën


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, janë vënë përballë nëpërmjet disa replikave në distancë pasditen e 19 tetorit, lidhur me çështjen e protestës së pedagogëve, sa i përket rritjes së pagave për këta të fundit.

Ka qenë një komenti i kreut të Qeverisë për drejtuesin e sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, në median sociale Twitter, ai i cili e ka nxitur debatin.

Në postim, kreu i Qeverisë komenton edhe një deklaratë të Kovaçit, i cili ka bërë me dije se ka punuar për shërbimin sekret shqiptar vite më parë.

“Krenar që ka qenë shiks i kohës së zezë të 97-ës le të jetë sa të dojë, po një shiks i maskuar si sindikalist për të importuar zullumin e non grata-ve e të rublave në hapësirën universitare”, shkruan Rama.

Teksa, në mbyllje të komentit, ai nënvizon se nuk ka asnjë shans, të merren parasysh kërkesat e Kovaçit, pasi në situatën ku vendi gjendet (situatë lufte për shkak të zhvillimeve në Ukrainë), ato janë fyese.

Nga ana tjetër, ish-Presidenti i Republikës, Meta, ka kundërshtuar deklaratat e kryeministrit, duke kërkuar zërin e pedagogëve të dëgjohen dhe duke komentuar në median sociale Facebook se kërkesat e pedagogëve për paga dinjitoze, janë të drejta dhe të realizueshme.

“Arroganca dhe shurdhëria e Qeverisë është e papranueshme. Dëgjoni krahasimin e sjellë me dhembje nga Prof. Asc. Dr. i Shkencave të Matematikës i specializuar në Universitetet më të mira të botës, ish-Ambasadorin e shkëlqyer të Shqipërisë në Slloveni, Sandër Kovaçi për të kuptuar revoltën e pedagogëve në mbarë vendin”, shkruan Meta.

Teksa, më tej, ai shpjegon se forca politike që drejton, do të mbështesë protestën dhe të gjithë pedagogët në protestë, deri në plotësimin e kërkesave.

“Mjaft denigrimit neokomunist të individëve për të mbuluar faktet që ulërasin fort për gjendjen e mjeruar të universiteteve!”, përmbyll Meta.

Vetë Kovaçi, nuk ka reaguar mbi deklaratat e Ramës, por më parë është bërë me dije se sindikata e pedagogëve do të jetë në protestë të plotë të enjten e 20 tetorit.

Mbyllet protesta, pedagogët do të bojkotojnë mësimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore