Lajme

Peci për mundësinë e shkarkimit të Vjosa Osmanit: Po lobon Serbia, Vuçiçi


Faton Peci

Pas raportimeve se zgjedhja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mund të shpallet anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci, në një intervistë për televizionin ATV është shprehur se nuk beson që kjo mund të ndodh, dhe se për këtë është duke u lobuar nga Serbia, “për të krijuar destabilitet institucional” në Kosovë.

“Si subjekt politik (Lista Guxo) kemi informacionet tona, shohim se ka një lobim për të krijuar destabilitet institucional në Kosovë. Po lobon Serbia, Vuçiçi”, tha Peci.

E në pyetjen se si mund të ketë ndikim Serbia në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ai tha se “aty ka anëtarë që ndikohen direkt nga Vuçiçi”.

E, sipas Pecit, arsyeja se pse Serbia ka interes në këtë çështje është marrëveshja e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, e të cilën sipas ministrit, Beogradi nuk dëshiron që ta zbatojë.

“Marrëveshja e fundit që është arritur, pavarësisht që nuk është marrëveshje e shkëlqyer, nuk ka asnjë interesim që të ketë zbatueshmëri dhe jetësim nga pala e Beogradit, dhe njëra prej mënyrave se si po shihet në disa çarqe rrugëzgjidhja e këtij problemi është krijimi i destabilitetit institucional në Kosovë”, shtoi ai.

Ndërkaq, nëse Gjykata Kushtetuese vendos kundër asaj që mendon Peci, atëherë ai potencoi se do ta respektonte atë vendim, sepse thotë se “nuk ka alternativë tjetër”.

Por nëse ndodh kjo, ministri i Bujqësisë nënvizoi se prapë Vjosa Osmani do të jetë kandidate për presidente, në të kundërtën Kosova do të ketë zgjedhje të reja.

“Nëse ndodh, ajo që dihet qartazi, ka vetëm një emër të vetëm për presidente të vendit, e që është Vjosa Osmani-Sadriu, e në rast se kjo nuk ndodh, vendi shkon në zgjedhje”.

Ndryshe, të mërkurën u raportua nga disa media në Kosovë, se Gjykata Kushtetuese pritet të shpall jolegjitim procesin e zgjedhjes së dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kishin qëndruar në seancë gjatë votimit të Vjosa Osmanit si presidente të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore