Muzikë

Pearl Jam anulon koncertin në Vjenë pasi ‘i nxehti ka dëmtuar fytin e vokalistit Eddie Vedder’


Eddie Vedder gjate nje koncerti

I nxehti ekstrem që ka kapluar Evropën, ka bërë që grupi i famshëm i rock-ut, Pearl Jam, të anulojë koncertin e tij në Vjenë, të mërkurën mbrëma.

Grupi përmes një postimi në rrjetin social Instagram bëri të ditur se fyti i këngëtarit Eddie Vedder ishte dëmtuar në shfaqjen e tij të fundit në Paris për shkak të nxehtësisë, pluhurit dhe tymit nga zjarret pranë zonës.

“Për të gjithë ata që po prisnin një shfaqje të mrekullueshme të Pearl Jam sonte në Vjenë, ishim edhe ne. Megjithatë, për shkak të rrethanave ekstreme në vendin e fundit në natyrë jashtë Parisit (nxehtësia, pluhuri dhe tymi nga zjarret) këngëtari ynë Ed Vedder fyti ka mbetur i dëmtuar. Ai ka vizituar mjekët dhe ka pasur trajtim, por deri më tani, kordat e tij vokale nuk janë rikuperuar”, thuhet në deklaratë.

“Ky është një lajm brutal dhe një kohë e tmerrshme… për të gjithë të përfshirët. Ata që punojnë kaq shumë për të organizuar shfaqjet si dhe ata që japin kohën dhe energjitë e tyre të çmuara për të marrë pjesë”, thuhet tutje në njoftim.

“Si grup, na vjen shumë keq dhe jemi përpjekur të gjejmë opsione për të luajtur ende. Dhe Ed dëshiron të luajë. Thjesht nuk ka asnjë fyt në dispozicion për momentin”.

Në bazë të deklaratës, biletat e koncertit do të kthehen në pikën e blerjes.

Pearl Jam ka gjithsej tre shfaqje të mbetura në këtë pjesë të turneut, një në Pragë dhe dy në Amsterdam. Ndërkaq në shtator, ata pritet të nisin turneun e tyre në Amerikën e Veriut.

Temperaturat në rritje dhe zjarret janë përhapur në të gjithë Evropën këtë javë.

Rikujtojmë se në Francë, zjarret kanë djegur 25 herë më shumë tokë deri më tani këtë vit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë Olivier Veran, të mërkurën. Ndërkaq, fqinji i Austrisë, Gjermania shënoi ditën e saj më të nxehtë këtë vit dhe pritet që ditët në vijim të jenë edhe më të nxehta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore