Lajme

Peach: Rusia dëshiron luftë në Ballkanin Perëndimor, ne nuk do ta lejojmë


Sir Stuart Peach

“I kujtoj gjallësisht luftrat në ish Jugosllavi, vitet e luftimeve dhe vrasjeve që lanë vraga tek brezat e njerëzve në secilën nga palët ndërluftuese. Më keq akoma, njerëzit që janë shumë më të rinj se unë, njerëzit në këtë rajon, jetojnë ende me trashëgiminë e tmerrshme të këtyre luftërave: urrejtjen, një ekonomi të shkatërruar dhe një të ardhme të pasigurtë”.

Kështu tha emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, në një intervistë për një nga gazetat kryesore të përditshme kroate, Vecernji list, kur ka folur për mundësinë e një konflikti të armatosur dhe përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, tha Peach, për hir të gjeneratave të reja, Perëndimi së bashku me politikanët e rajonit duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të parandaluar një përsëritje të mundshme të konfliktit të armatosur në këtë pjesë të Evropës.

“Kur them ‘ne’, kjo është në radhë të parë një detyrë e politikanëve vendas, të cilët duhet të refuzojnë nacionalizmin shkatërrues, të ngrihen mbi interesat e njëanshme dhe t’i drejtojnë politikat e tyre drejt arritjes së rezultateve për qytetarët e vendeve të tyre”, tha ai.

Ai tha se vizitat e shpeshta në Ballkan muajt e fundit në Kosovë, Serbi dhe Kroaci, kanë për qëllim demostrimin se Britania e Madhe dhe aleatët e saj, ndajnë një angazhim të palëkundur për sigurinë dhe përparimin rajonit.

“Ne e dimë se Rusia po përpiqet të shtrijë ndikimin e saj keqdashës në Ballkanin Perëndimor, por Perëndimi është i bashkuar në kundërshtimin e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjeve të saj për të destabilizuar rajone të tjera”, theksoi diplomati.

Ndërsa rreziku i konfliktit të armatosur nuk duhet nënvlerësuar, vëri në pah ai, rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar janë në një pozitë shumë më të ndryshme, shumë më të mirë se 30 vjet më parë.

“Jemi përshtatur shumë më mirë ndaj rreziqeve dhe kemi shumë më tepër mjete diplomatike dhe politike. Pra, ndërsa ngjarjet e fundit që ju përmendni janë sigurisht shqetësuese, ne duhet të përqendrohemi në mobilizimin e burimeve që kemi për të vazhduar përpara”.

Peach iu referua edhe parashikimit të Milorad Dodik se po vjen koha kur të gjithë serbët do të jetojnë në një shtet ndërsa e hodhi poshtë një mundësi të tillë. I pyetur se sa po llogariste te Kroacia, ai tha se vendi mund të ndihmojë shumë rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tij drejt BE-së dhe madje edhe NATO-s.

“Kam parë që kryeministri (Andrej) Plenkoviç dhe presidenti serb (Aleksandër) Vuçiç kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm këto ditë për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Së bashku me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar, sinqerisht shpresoj se liderët e të dy vendeve do të tregojnë se janë të vërtetë, shtetarët, duke ndërtuar paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Ai gjithashtu vlerësoi se herët a vonë Serbia do të duhet të marrë një vendim dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë teksa shtoi se i kupton lidhjet historike të vendit me Rusinë, por gjithashtu theksoi se Kremlini po përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

“Siç ne dhe shumë vende të tjera e kemi bërë të qartë në takimet tona me homologët tanë serbë, kjo është një çështje e së drejtës dhe së gabuarës. Pushtimi rus i Ukrainës ka sjellë luftë dhe gjakderdhje përsëri në kontinentin tonë dhe është e rëndësishme që vendet evropiane të qëndrojnë të bashkuara në duke u përballur me agresionin e Rusisë”, tha i dërguari special.

Ndërkohë, larg fushëbetejave të Ukrainës, lufta po troket në derën e NATO-s në Ballkan, ku përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar rajonin, për momentin po rezultojnë të suksesshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore