Kosova

PDK: Votat e ardhura nga diaspora për Dragashin ishin të manipuluara


Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Pas vendimit të Gjykatës Supreme që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) deklaroi se ka mirëpritur këtë vendim.

Sipas PDK-së thotë se votat që kanë ardhur me postë kanë qenë të manipuluara.

“Votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Supreme derisa thotë se riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë do ta rikonfirmoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani.

“Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune”.

Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit

Ndërsa, ka apeluar tek qytetaret që të votojnë me postë.

“PDK fton të gjithë qytetarët e Dragashit që do të votojnë me postë që të votojnë lirshëm, pa presion e pa ndikime për kryetarin e Dragashit”.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të raundit të dytë në komunën e Dragashit, pasi që PZAP mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar të kësaj komune.

Kandidati i Partisë Demokratike e Kosovës, Shaban Shabani më 17 nëntor bëri ankesë në PZAP, pasi pretendonte se në raundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulime të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore