Lajme

PDK: Qeveria Kurti po e mohon historinë e re të Kosovës


Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, në konferencën e thirrur për media ka folur deputetja e Blerta Deliu-Kodra e cila ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë Kurti dhe Presidentes Osmani rreth historisë së re të Kosovës, trashëgimisë politike dhe vlerave kombëtare.

Deliu-Kodra ka theksuar se pushteti i ri i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, po mendon se historia fillon nga ta e tutje, kësisoj duke lënë nën hije realitetin historisë më të re të vendit si luftën e UÇK-së, shpalljen e pavarësisë dhe të arriturat e tjera të vendit, duke e akuzuar drejtpërdrejt Qeverinë për qëndrime të njëjta me Serbinë dhe Rusinë sa i përket krimit dhe korrupsionit.

“Ky pushtet është larguar nga politika e jashtme e koordinuar me miqtë tonë perëndimor dhe është përafruar me narracionin e Rusisë dhe Serbisë. Imazhi që këta qeveritarë, këta mohues të shtetit tonë janë duke portretizuar nëpër botë për vendin, është një Kosovë pa histori, pa shpalljen e pavarësisë, pa Kosovën e njohur nga 117 shtete, pa Kosovën e anëtarësuar në mbi 60 organizata ndërkombëtare, pa UÇK-në, pa luftën tonë çlirimtare, pa sakrifica, pa suksese dhe pa vlera shtetërore” është shprehur ajo.

Deliu-Kodra akuza të veçanta ka shprehur edhe për kryediplomaten e vendit, Donika Gërvalla-Schwarz, ku sipas saj kjo e fundit po anashkalon tërësisht të arriturat e subjektit të saj, si dhe për mos promovimin e shtetësisë së Kosovës.

“Ministrja e Jashtme e Kosovës, e verbuar nga inatet politike nuk tha asnjë fjalë për njohjen e Kosovës nga Izraeli. Këshilli i Sigurimit është terren për afirmim të shtetësisë së Kosovës dhe jo përkrahje të narracionit rus dhe serb për Kosovën. Nëse ata përpiqen t’i mohojnë të arriturat e PDK-së në shtetndërtimin e Kosovës, të paktën të mos sillen naiv duke mohuar meritat e qytetarëve, miqve ndërkombëtarë dhe përqafojnë pa vetëdije narracionin serb dhe rus në marrëdhëniet ndërkombëtare.”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore