Lajme

PDK: Qeveria Kurti për një vit qeverisje krijoi listë të gjatë dështimesh


Rinia e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka ndërmarrë një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie me punën e njëvjeçare të qeverisë Kurti, duke thënë se për një vit qeverisje, kjo qeveri ka krijuar listë të gjatë dështimesh.

Ata kanë vendosur disa pankarta para hyrjes në objektin e qeverisë me mbishkrimin “Buka 0.99 centë”, “Mashtrimet e Besnik Bislimit”, “Nafta 1.58 centë”, “I rriti çmimet – Jo pagat”.

Sipas RDK-së, këto janë mashtrimet e qeverisjes Kurti 2.

Kryetari i RDK-së, Donjet Bislimi, e ka quajtur Qeverinë Kurti si qeveri të praktikantëve, pasi që kjo qeveri nuk ka shënuar asgjë përveç dështimeve.

“Dje më 22 mars Qeveria Kurti 2 i ka bërë një vit që e ka marrë mandatin për të qeverisur, por fatkeqësisht ky është një vit i praktikantëve që nuk shënuan asgjë”, ka thënë ai.

“Për 1 vit qeverisje, diplomacia kosovare lëre që nuk ka ekzistuar, por ka shënuar regres aq të madh sa që ka përfunduar në skandale e paaftësi elementare me gabime të flamujve të shteteve e me gënjeshtra të deklaratave të zyrtarëve perëndimorë”.

“Për 1 vit të kësaj qeverisje, qytetarët e Kosovës janë varfëruar më së shumti që nga paslufta. Shporta ushqimore e qytetarit të Kosovës është shtrenjtuar aq shumë sa qytetarët mezi po ia dalin ta mbyllin muajin.”, ka deklaruar Bislimi.

Më tej i pari i të rinjve të PDK-së është shprehur se qeveria Kurti për 1 vit ka arritur të krijojë disa qindra vende pune vetëm për nipat, dajallarët dhe familjarët e ministrave dhe deputetëve të Vetëvendosjes.

“Qeveria Kurti do të mbahet mend për rekordin e tenderave njëburimorë. Para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti premtoi banesa me çmime të përballueshme për çiftet e reja, por ky premtim u harrua tërësisht për 1 vit”.

“Kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, por ende nuk e ka nisur asnjë. Kjo është lista e shkurtë, sepse për t’i numëruar të gjitha, do të na duheshin shumë më shumë kohë. Këtu mbrapa meje, mund t’i shihni të ilustruara disa nga skandalet e Qeverisë Kurti”, ka përfunduar ai.

Menjëherë pas përfundimit të aksionit simbolik dhe konferencës së RDK-së, disa punëtorë të qeverisë kanë larguar pankartat e vendosura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore