Lajme

PDK: Presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit


Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka kërkuar llogaridhënie nga Qeveria e Kosovës që qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë nga e hëna.

“Si Parti Demokratike të Kosovës kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Qeveria e Kosovës. Është e pafalshme që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime, është e papërgjegjshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje të nesërmen se nuk do të kenë energji elektrike”.

Përmes një konference për media, Nikaj ka thënë se kjo situatë është dështim kapital i logjikës.

“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, siç është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili, për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, ka thënë Nikaj.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj

Sipas tij, pasojat e tashme janë produkt i një dështimi sistematik e kardinal disa mujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë.

“Korporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-s, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut”.

“Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si ta menaxhojë sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, u shpreh ai.

Më 14 gusht, Kompania për Distribuimin e Energjisë në Kosovë KEDS, ka njoftuar se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar që të fillojnë kufizimet e energjisë elektrike.

Siaps njoftimit të vonë të së dielës, thuhet se KEDS ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike.

Kufizimet fillojnë nga ora 8:00 e të hënës.

Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët.

“Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore