Lajme

PDK inicon tri debate urgjente parlamentare


Situata alarmante nga pandemia, dhe ‘mos’ angazhimi i Qeverisë së re në sigurimin e vaksinave, arsim dhe ekonomi, ka bërë që Partia Demokratike  e Kosovës të ndërmarr iniciativën që të thërras tre debate parlamentare me prezencë të ministrave të shëndetësisë, arsimit dhe ekonomisë në ato debate.

Debati i parë parlamentar që PDK synon ta realizoj ditën e enjte është ai për mos sigurimin e vaksinave nga ana e Qeverisë.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në konferencë të thirrur për media në oborrin e Kuvendit.

“Kosova vazhdon të jetë në hartën e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit, dhe kjo paraqet jo vetëm shqetësim por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve tanë”, është shprehur ai.

Tutje shefi i deputetëve të PDK-së ka deklaruar se debati i dytë parlamentar do të mbahet për organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në këto rrethana pandemie, pasi që deri më tani ka humbje të mëdha të mësimnxënies dhe nuk ka një strategji konkrete nga ana e Qeverisë se si të dilet nga kjo situatë.

“Viti që lamë pas, fatkeqësisht ishte vit i humbur për sistemin tonë arsimor. Nuk mund ta pranojmë që edhe viti 2021, të jetë një vit i humbur për arsimin dhe për gjeneratat e nxënësve që vijojnë shkollimin në çdo nivel. Kjo nuk është temë e rëndomtë. Po flasim për rreth 345 mijë nxënës në arsimin para universitar, 23 mijë mësimdhënës të cilët sot kanë mbetur pa një plan konkret, pa mbështetje dhe pa mjete për ta realizuar agjendën e arsimit në vend”, është shprehur Tahiri.

Ndërsa debati i tretë parlamentar që PDK do të kërkojë të debatohet në Kuvend është ai rreth gjendjes së rënd ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

“Nuk kemi parë asnjë plan konkret dhe asnjë ide konkrete se si qeveria Kurti do t’i menaxhojë pasojat e pandemisë në ekonomi. Nuk kemi kuptuar se çfarë do të ndodhë me Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike që është miratuar në Kuvendin e Republikës. Aktualisht kemi rreth 60 mijë qytetarë të papunë dhe mijëra biznese që kanë falimentuar gjatë pandemisë. Nuk mund të presim që ekonomia, bizneset dhe ndërmarrësit të mbesin në disponimin ditor e javor të kryeministrit apo ministrit të shëndetësisë të cilët vendosin kuturu ta mbyllin vendin për një javë e për dy javë, pa pasur një plan konkret për menaxhimin e pasojave ekonomike të kësaj mbyllje”, tha para mediave Tahiri.

Krejt këtë iniciativë të PDK-së, Tahiri nuk e sheh si një betejë me Qeverinë, por si nevojë urgjente për fatin e përditshëm të qytetarëve të vendit.

“Qytetarët paguajnë taksa, në mënyrë që qeveria me taksat e tyre të ofrojë zgjidhje për probleme si këto. Nuk ka prioritet më të madh sot për sot, sesa mbrojtja e jetës përmes vaksinimit, mbështetja e ekonomisë përmes subvencionimit, dhe ruajtja e gjeneratave përmes sigurimit të arsimit”, ka deklaruar Tahiri para gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore