Lajme

PDK ia plotëson dëshirën Kurtit – kërkojnë seancë ku tregohet e vërteta e planit franko-gjerman


Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar zyrtarisht nga kryeparlamentari Glauk Konjufca të caktojë një seancë plenare të hënën që vjen (23 shkurt), për të diskutuar rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se kryeministri Albin Kurti nuk mund të fshihet më nga përgjegjësia rreth zhvillimeve në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, të enjten në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti është përballur me deputetët e opozitës lidhur me procesin e dialogut, propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Deputetët e opozitës kërkuan që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme ku do të debatonin për këto çështje, mirëpo mocioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dështoi pasi Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër.

Ndërkaq, duke sqaruar mungesën e transparencës në dialog, kryeministri Kurti deklaroi se “nëse unë thërras seancë kur flasim për detaje të përmbajtjes kjo është shumë rrezik për Kosovën” ndërsa pohoi se mund të jetë më i hapur, por jo për qytetarët e Kosovës, po vetëm për liderët e partive opozitare dhe deputetët.

“Unë natyrisht se jam shumë i hapur për t’i diskutuar këto gjëra por duhet të kuptoni që janë dy mënyra për këtë gjë. Ose takim me liderët e partive për hollësitë, ose raportim në Kuvend me dyer të mbyllura e me kërkesë të opozitës”.

“Është e mundshme që edhe unë ta kërkojë një seancë por po iu tregoj pse nuk e kam bërë deri sot. Është e mundshme që të bëhet diskutim enkas për këtë gjë, por në mënyrë që Kosova të jetë shumë e mbrojtur të mos e thërras kryeministri seancën, meqenëse mezi s’presin të na akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë”, shtoi ai.

Ndaj këtyre deklaratave befafuese të kreut të ekzekutivit, e menjëheshme ishte replika e liderit të opozitës, i cili ia kujtoi Kurtit se secila marrëveshje e arritur në Bruksel është sjellur në Kuvendin e Kosovës dhe njëjtë duhet të ndodhë edhe me këtë të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore