Lajme

PDK i bën thirrje Qeverisë që ta rishqyrtojë vendimin për gazsjellësin


Ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës, i ka bërë thirrje Qeverisë të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, që ta rishqyrtojë vendimin për çështjen e gazsjellësit amerikan.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka thënë se një refuzim i tillë “nga ana e Qeverisë së Kosovës, i shkakton një dëm të madh vendit”.

“Alternativat janë të rëndësishme, aq më shumë për neve që po flasim për një projekt që financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një grant që ka vlerën rreth 200 milionë dollarë, dhe refuzimi i Qeverisë mendoj se i bën një dëm të madh vendit, në perspektiven afatgjate dhe në raport me partnerin tonë në shtet- ndërtim siç janë SHBA-të”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Sipas Tahirit, Kosova “nuk e ka luksin të refuzojë projekte të tilla”.

“Do duhej që të realizonim një projekt të tillë, të futeshim në kredi që u takon gjeneratave të tëra që do të vinim. Në këtë rast po flasim për një mbështetje që vjen nga SHBA. Një pjesë e vendeve, gazin e kanë si një alternativë të rëndësishme sepse ne, sidomos gjatë dimrit, për t’u ngrohur me energji elektrike, është e shtrenjtë”, është shprehur ai.

Po ashtu, Tahiri ka thënë se në anën tjetër me prerjen e drurëve “është duke u shkatërruar natyra”.

“Duhet të marrim hapa sa më parë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Tahiri ka potencuar se gjatë mbledhjes së radhës së Kryesisë së Kuvendit do të diskutohet për caktimin e seancës parlamentare, ku sipas tij do të ketë një debat parlamentar për çështjen e gazsjellësit.

“Padyshim që do të ketë debat parlamentar për çështjen e gazsjellësit, tashmë kryesia e ka vendosur që në mbledhjen e radhës të vendosë për seancën e radhës. Sot nuk i ka plotësuar kushtet që të jetë në pikat e rendit të ditës, mbledhja e radhës e kryesisë do të mbahet në fund të javës tjetër”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore