Lajme

PDK e përkrahë protestën e veteranëve të UÇK-së


Memli Krasniqi

Për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, protesta e veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është legjitime dhe e drejtë, pasi sipas tij Albin Kurti, vazhdimisht dhe publikisht ka shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së UÇK-së.

Sipas tij me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti ka shkelur dinjitetin e secilit prej tyre.

“Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Qeveria sipas deputetit të PDK-së, duhet ta kuptojë sa më parë që veteranët nuk janë barrë për këtë shoqëri, por patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit.

“Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë”, ka shtuar ai.

Çka ndodhi?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të 14 qershorit, votuan në parim Ligjin për pagën minimale, i cili la jashtë kategorinë e veteranëve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pro këtij projektligji ishin 68 deputetë, përfshirë edhe Listën Serbe, kundër nuk kishte e abstenuan gjashtë. Deputetët që abstenuan ishin nga Grupi multietnik.

Gjatë procesit të votimit u dëgjuan thirrjet “marre” nga deputetët e opozitës, të cilët kundërshtuan këtë projektligj meqë nuk i përfshinte edhe veteranët e UÇK-së, të cilët javën e kaluar protestuan para Kuvendit të Kosovës.

Kundër këtij projektligji ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, i cili u bashkëngjitë protestës së partive opozitare duke e rrahur tavolinën dhe më pastaj lëshoi sallën.

Reagimet ishin të shumta pas miratimit në parim të këtij projektligji.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte i ashpër pas vendimit në fjalë, ai madje nuk guroi ta krahasojë Albin Kurti dhe Glauk Konjufcën me Rrahman Morinën- ish funksionarin shqiptarë të sistemit të atëhershëm serb.

Haradinaj përveç se ditën e djeshme e cilëso si një ditë të çuditshme për jetën parlamentare në Kosovës, potencoi se me votimin e Projektligjit për Ligjin e Pagave, fituan fëmijët e UDB-së të përkrahur nga Lista Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore