Lajme

PDK do të formojë nëndegë të partisë në diasporë


Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës synon që të hap nëndegë të partisë së saj edhe në diasporë, bën të ditur deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Elmi Reçica.

“Me kërkesë të qytetarëve tanë në diasporë dhe me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve të përbashkëta për forcimin dhe zhvillimin e vendit, Partia Demokratike e Kosovës ka filluar angazhimin për formimin e nëndegëve të saj kudo ku jetojnë shqiptarët në diasporë”, bëri të ditur ai.

Reçica lajmëron se gjatë javës kanë zhvilluar takime të shumta me qytetarë të Kosovës në Zvicër, si dhe tha se do të zhvillojnë takime me ndërmarrës të suksesshëm dhe personalitete të jetës kulturore e politike shqiptare në Zvicër.

Fotografi e publikuar nga deputeti Reçica në faqen e tij në Facebook

“Në takim me Kryesinë e re të nëndegës së PDK-së në Zurich diskutuam për planet dhe programin e ri politik të PDK-së për fuqizimin e rolit të diasporës dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme për investimet e tyre në Kosovë”.

“I falënderoj të gjithë qytetarët tanë në Zurich për interesimin dhe besimin për tu bashkuar me ne në rrugëtimin tonë të përbashkët”, përfundon njoftimi i Deputetit nga radhët e PDK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore