Kosova

PDK dhe LDK: Kurti po manipulon me shifra, po punojmë për rezolutën kundër shtrenjtimit të rrymës


Ilustrim

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një konferencë për media pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku është diskutuar për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Kosovës për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, ka thënë se Kosova do të hyjë në mesin e 10 vendeve të Bashkimit Evropian që e paguan më së shtrenjti rrymën.

“Një gjë e tillë është e papranueshme populli më i varfër në Evropë të listohet në mesin e 10 vendeve në Evropë që paguajnë energjinë elektrike më së shtrenjti”, ka thënë Tahiri.

Deputeti Tahiri ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti për manipulim me shifra sa i përket konsumit të energjisë elektrike nga qytetarët e Kosovës.

“Më shumë se 80 për qind e popullsisë e tejkalojnë konsumin përtej 600 megavat të energjisë elektrike, shumica e qytetarëve tonë do të preken nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike”, ka shtuar ai.

Sipas tij pagat e sektorit publik dhe privat nuk e përballon një ngritje të tillë të çmimit të rrymës.

“Gjendja do të rëndohet edhe më shumë në momentin që qytetarët do ti pranojnë faturat e pagesës me energji elektrike të muajit shkurt”, ka vazhduar ai.

Abelard Tahiri

Ai madje ka bërë të ditur se partia në të cilën bënë pjesë ai do të përdorë të gjitha mënyrat në dispozicion për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për energjinë elektrike.

“Si opozitë nuk do ndalim, do gjejmë instrumentet që ta ftojmë në seancë të jashtëzakonshme qeverinë dhe kryeministrin dhe në asnjë rrethanë nuk do lejojmë rritjen e çmimit”, ka shtuar ai.

Tahiri, ka potencuar se i pari i ekzekutivit po e zhvendos vëmendjen dhe se po i duket që më mirë ka qenë në kohën e kriminelit Millosheviç se sa pas shpalljes së pavarësisë.

“Jemi duke i përcjellë me shqetësim këtë qasje të qeverisë, kryeministrit ku kryeministri mundohet duke u munduar ta zhvendosë debatin në dimension tjetër, që ne nuk e kemi problem për akuzat e tij, as për 20 vjet, as 30 vjet, sepse sipas tij në Kosovë më mirë është jetuar në kohën e Millosheviqit se sa nga pavarësia. Nuk e kemi dëgjuar kurrë të flasë për dëmet që u janë bërë këtij vendi gjatë Millosheviqit por vetëm pas pavarësisë”.

Abelard Tahiri

Pas tij, në konferencë foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili potencoi se gjithçka që po prezanton Qeveria rreth energjisë, është abstrakte dhe se ajo po sillet si e paaftë.

“Sot gjithçka duket abstrakte sepse po flasim për kilovatë, megavat, po flasim për rritje të çmimit për ata që shpenzojnë mbi 1000 kilovatë, duket abstrakte. Por kjo shpejt do jetë reale kur faturat do shkojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Gashi.

E Gashi e bëri të qartë se LDK-ja “është këtu” në ndihmë si PDK-ja, edhe Gashi tha se do propozojnë rezolutë e do mundohen të mblidhen në seancë.

“Ne jemi këtu. Do mundohemi të mbajmë seancë dhe të propozojmë rezolutë të mos rritet çmimi energjisë ose rritja të jetë sa më e vogël”.

Kritikat e Kurtit për qeveritë e kaluara i hodhi poshtë duke thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara çmimi për rrymën ka qenë më i liri në rajon.

“Kryeministri mund t’i fajësojë qeveritë e kaluara se çmimin e ka lënë 6 cent për kilovat, më i liri në rajon. Më lirë e ka pasur vetëm Ukrainë. Po e rritë çmimin 3.5 herë. Paaftësi totale qeverisëse dhe menaxhuese”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore