Shqipëria

PD: Shah apo damë me zgjedhjet?


Çdo marrëveshje e Partisë Demokratike me aleatët për sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, po dakordësohet të mërkurën e 24 shkurtit.

Përfundimisht, Lëvizja Socialiste për Integrim, do të garojë me listë më vete. Dy opsionet e vetme për përfshirje në listat e PD-së, janë Kukësi dhe Dibra. Këtë fakt e bëri të ditur për Albanian Post zëdhënësi për shtyp i LSI-së, Klajdi Bodlli.

Kështu, aleatja kryesore e PD-së gjatë katër viteve opozitarizëm, heq dorë nga bashkëpunimi parazgjedhor. “Një marrëveshje post-zgjedhore pritet të nënshkruhet më 1 mars”, bëri me dije Bodlli.

Aleatja tradicionale e demokratëve, Partia Republikane, do të jetë pjesë e listës së djathtë. Numri i saktë i kandidatëve republikanë nuk është bërë ende me dije. Emrat e tyre gjithashtu. Një prononcim pritet të ndodhë pasditen e sotme nga kryetari, Fatmir Mediu, mbi konkretizimin e paktit.

Një tjetër aleat i fuqishëm i përfshirë, do të jetë Shpëtim Idrizi. Çamët e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet mbetën pa mandate zgjedhjet e shkuara në Tiranë, pavarësisht se kishin vota të mjaftueshme. Kjo, për shkak të mos kalimit të pragut elektroral kombëtar.

Këtë vit pragu është më i ulët, por PDIU-ja nuk do të jetë e vetme. “Do të marrim 40 mijë vota”, deklaroi Idrizi. “Emrat në listë nuk kanë rëndësi. Jemi pjesë e siglës Shqipëria Fiton”.

Aleatë të tjerë që kanë deklaruar marrëveshjen me PD-në, janë agrarët e Agron Dukës, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Dashamir Shehi i LZHK-së.

Çfarë do mbetet për PD-në?

Me kaq aleatë, duhet filluar të mendohet edhe çfarë do të mbetet në tavolinë për Partinë Demokrate. Deklarata e Idrizit se do të mbledhë 40 mijë vota, përkthehet në 4 mandate në rang kombëtar. Por, numri i kandidatëve të kërkuar nga PDIU-ja, mund të jetë më i lartë se kaq.

Më 18 janar, i ftuar në emisionin Open, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, deklaronte se për të maksimizuar votën, PR-ja duhet të ketë 12 kandidatë brenda listës së PD-së. Nëse kjo kërkesë është reale, atëherë mund të hamendësojmë se rreth 20 emra në listën e PD-së, kërkohen nga dy aleatët e mëdhenj.

Dakordësia me LSI-në mbi integrimin e një kandidati të majtë në listën e djathtë, mund të heqë dy të tjerë.

Aleati Duka ka kërkuar një vend të sigurt në Durrës, për shkak të ndikimit që ka në atë qytet. Dule ndërkohë, ka influencë të lartë në zonat minoritare greke. Për këtë shkak, mund të kërkohet futja e dy kandidatëve në listë.

Ende nuk dihet nëse bashkëpunëtorë si Nard Ndoka apo të tjerë, do të jenë brenda listave. Por, me një llogari të përafërt, mund të themi se rreth 30 vende në listat e PD-së, do të zihen nga aleatët.

Në zgjedhjet e 2017-ës, demokratët fituan 43 ulëse në Kuvend. Nëse nga këta 30 emra, janë në pozicione fituese një e treta e tyre, kjo do të thotë 10 deputetë jo të PD-së, por aleatë, do të jenë në Kuvend.

Nëse demokratët nuk rrisin numrin e mandateve, kjo do t’i lërë ata me 33 ulëse. Më pas, do të mbetet enigma mbi numrin e deputetëve që LSI-ja do të marrë.

Skenari mund të jetë i ndryshëm për shkak të variancës që mund të kenë votimet. Demokratët mund të kenë sigurisht rritje në mandate. Sipas sondazheve, gjasat janë faktikisht të ketë rritje.

Pyetja gjithsesi mbetet e shtruar. Nëse aleatët zënë vendet e demokratëve, çfarë do të mbetet për PD-në?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore