Shqipëria

PD në ‘ankth’ prej KQZ-së, Berisha zyrtarizon koalicionin e ‘Lirisë’


Nuk ka çështje më të rëndësishme për Partinë Demokratike, se sa regjistrimi në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, i cili është lënë pezull prej Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi – dilemë që sot do të marrë fund.

Por, nga ana tjetër, nuk e shqetëson aspak Sali Berishën kjo gjë, pasi rrugëtimi i tij elektoral tashmë duket i qartë, me zyrtarizimin që pritet t’i bëjë koalicionit nën ombrellën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës.

Një “koalicion i Lirisë”, siç është emërtuar edhe më parë, kur në vendoret e pjesshme të 2022-shit, mori emërtimin “Shtëpia e Lirisë”.

Do të jetë i tillë edhe këtë herë? Gjasat, sipas burimeve të Albanian Post pranë kampit blu, janë të pakta që drejtimi identitar i këtij koalicioni të ndryshojë, duke parë edhe rrjedhën e ndryshimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Metës, në Partia e Lirisë, e cila i shkon për shtat shumë gjithë retorikës së Berishës.

Megjithatë, “ankthi” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk është zhbërë kaq thjeshtë, edhe për palën jozyrtare të PD-së.

Ndërkohë që Enkelejd Alibeaj, drejtuesi i komanduar juridik i demokratëve zyrtarë, pret të shohë nëse grupacioni i tij do të regjistrohet apo jo në zgjedhjet vendore nga komisioneri Celibashi, Berisha nuk pret asnjë vendim.

Ai është i vendosur, siç ka mësuar Albanian Post, që të ankimojë çështjen në Komisionin e Ankimeve dhe Sanskioneve pranë KQZ-së, pas rrëzimit të parë që iu bë kërkesës së tij.

Një kërkesë që është bërë edhe nga Alibeaj, pasi ky i fundit nuk plotësoi brenda një afati 48-orësh, dokumentacionin e kërkuar nga Celibashi, lidhur me një autorizim të firmosur nga kryetari de jure i demokratëve, sipas Gjykatës së Tiranës, Lulzim Basha.

Me dokumentacion të cunguar, ka gjasë që Celibashi të mos pranojë regjistrimin e Alibeajt në zgjedhje dhe për këtë, është përgatitur nga ky i fundit e njëjta lëvizje me Berishën, pra, ankimim në KAS.

Mirëpo, përkundër jastëkut të rehatshëm që Berisha gjen tek Meta, me sigurinë se kandidatët e shpallur prej primareve që ai organizoi, do të jenë në zgjedhje, Alibeaj këtë luks nuk e ka.

Ai nuk ka ende as kandidatë zyrtarë, as një plan B për pjesëmarrje në zgjedhje dhe as mbështetje të gjerë brenda të djathtëve.

Ka gjithsesi vulën e partisë, e cila sa duket deri tani, pa firmën e Bashës, sërish nuk vlen gjë, sipas Celibashit.

Me vetëm një plan A, sytë e PD-së (asaj zyrtare) janë të gjitha për nga KQZ-ja, me seancën që është thirrur në orën 16:00.

Sytë e Berishës ndërkaq, janë vetëm për nga fushata elektorale, të cilën e ka nisur, edhe pa qenë zyrtarisht në muajin e fundit përpara votimeve.

Si zgjidhet udhëkryqi i PD-së në KQZ?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore