Shqipëria

PD-LSI më vete, kush humb dhe kush fiton?


Opozita e bashkuar do të jetë e ndarë në zgjedhjet e 25 prillit. Dy partitë kryesore do të hedhin në fushën e betejës dy lista, me 140 kandidatë secila.

Mungesa e akordit midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte sa e papritur, po aq edhe e pritur. Mesazhet e para i lëshoi më 26 janar Monika Kryemadhi, e cila, në emisionin Real Story të gazetarit Sokol Balla, deklaroi se “pa u pranuar pesë prioritetet e LSI-së, nuk do të ketë kompromis, pavarësisht aleatit”.

“Marrëveshja do të jetë paszgjedhore dhe firmoset më 1 mars”, deklaroi më 24 shkurt zëdhënësi për shtyp i LSI-së, Klajdi Bodlli, për Albanian Post.

PD-ja, nga ana tjetër, shpalli koalicionin me 12 aleatë. Disa tradicionalë, disa më pak. Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim. Kështu do të quhet. Slogani do të jetë “Shqipëria Fiton!”.

Por, më 25 prill, dikush duhet të humbë. Pyetjet për dyshen opozitare të ndarë paraprakisht janë dy: Përse më vete? Kush fiton dhe kush humb?

Albanian Post ka pyetur katër analistë mbi çështjen

“Unë kam besuar se dalja me një listë e dy partive do të ishte avantazhi më i madh”, thotë Armand Shkullaku.

“Dalja me një listë do të krijonte bindje tek elektorati se opozita është e bashkuar. Ata e kanë marrëveshjen paszgjedhore, por një listë do të tregonte më shumë unifikim. Nuk do të liheshin dyshime që forcat politike kanë krijuar  një front opozitar për largimin e Edi Ramës”.

Shkullaku argumenton se “çdo votë do të mbetej brenda thesit nëse garohej me një listë”. “Me këtë zgjedhje të bërë, votat mund të digjen për shkak të pragut elektoral rajonal. Kjo, për shkak të Kodit Zgjedhor. Se kush do të humbë më shumë, këtë vetëm rezultati i 25 prillit do ta tregojë”.

Mentor Kikia, nga ana tjetër, mendon se “dalja më vete mund të ketë qenë vendim i LSI-së”. “Nëse do të ishin bërë pjesë e listës së PD-së, mund të asimiloheshin. LSI-ja do të ishte thjesht një logo pa program brenda një liste me demokratët”.

Por, sfida e socialistëve të qendrës do të jetë e madhe sipas Kikisë. “LSI-ja nuk do të jetë në kohën e saj më të mirë. PD-ja, nga ana tjetër, do të marrë rezultat të mirë sepse ka krijuar një frymë opozitariste në shoqëri, duam apo s’duam”.

Sipas Kikisë, “do të ketë një lloj rishpërndarje të elektoratit. “Dihet që demokratët dhe socialistët kanë një bazë të qëndrueshme militantësh. LSI-ja ndërkohë ka marrë gjithnjë të pakënaqurit. Por, kemi vënë re se ka pasur edhe largime të eksponentëve nga këta të fundit drejt PS-së”.

Do të lërë LSI-ja mandate rrugës?

Aleksandër Çipa ndjek të njëjtën linjë, duke argumentuar se “LSI-ja po përpiqet të rikonfirmojë veten”. “E mbështetur edhe nga protagonizmi politik i presidentit, ish-udhëheqës historik i saj, LSI-ja do të pretendojë të maksimizojë përftimin e mandateve më 25 prill”.

“PD-ja ndoshta nuk i ka bërë mirë llogaritë”, vijon më tej Çipa. “Për shkak të lojës së kryeministrit Edi Rama mund të ketë cedim të votave të PD-së. Mund të ketë edhe cedim të LSI-së”.

“Për shkak të mungesës së koalicionit, LSI-ja mund të lërë mandate rrugës. Por, këto mandate, mund të mos shkojnë te PD-ja. Duke qenë se sondazhet thonë se loja do të bëhet me një, dy ose tre mandate, llogaritë duhen bërë mirë”.

Skënder Minxhozi e sheh si rivalitet PD-LSI këtë zgjedhje të dy partive. “Mund të ketë shkëmbim votash midis dy koalicioneve. Por, kjo gjë do ta ulë shumatoren e përgjithshme”.

“Nëse ato bashkohen pas zgjedhjeve, nuk është e njëjta gjë si po të ishin në një listë. Përplasje lokale PD-LSI janë të pritshme dhe këtë e thotë harta e votave. Një koalicion do të ishte më mirë se dy”.

25 prilli do të shohë për herë të parë pas një dekade, tre fronte kryesore në zgjedhje parlamentare. Fronti i tretë, LSI-ja del për herë të parë më vete që prej zgjedhjeve të vitit 2009.

Në atë kohë, të majtët e qendrës, morën katër mandate. Këto, siguruan një katërvjeçar qeverisës për Partinë Demokratike të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Këto zgjedhje ndërkohë, sondazhet e nxjerrin LSI-në në rënie. Sipas analistëve, PD-ja nuk është në një fitore të madhe për shkak të vendimit të marrë gjithashtu.

PD-LSI janë më vete në zgjedhje. Më vete është edhe Partia Socialiste. Fituesit dhe humbësit do të shihen pas përgjigjes që shqiptarët do të japin ndaj tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore