Shqipëria

PD-ja shpall primaret për zgjedhjet lokale 2023


Partia Demokratike ka shpallur zyrtarisht hapjen e primareve për të përzgjedhur kandidatët, të cilët do të garojnë për këtë forcë politike në zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Vendimi është marrë zyrtarisht të hënën e 26 shtatorit, ku një platformë e posaçme bazuar në disa nene të Statutit të partisë, janë marrë parasysh si bazë ligjore për procesin.

Përzgjedhja do të bëhet në parimin “një anëtar, një votë”, duke garantuar garën e ndershme dhe konkurrimin e lirë, shkruhet fillimisht në vendimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Më pas, parashikohet edhe kthimi i tyre në traditë, sa herë që në vend do të ketë shpallje të zgjedhjeve për pushtetin vendor, përfshirë ato të parakohshme, por pa përcaktuar nëse e njëjta procedurë do të vlejë edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Primaret organizohen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë, sipas kushteve, kritereve dhe përcaktimeve të parashikuara në këtë rregullore, vijohet më tej në vendim.

Nga ana tjetër, kryetarët e bashkive në detyrë dhe deputetët e PD-së, të cilët duan të marrin pjesë në garë, nuk kanë nevojë për kandidim, pasi kualifikohen a priori në primare.

Në mbyllje të primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar.

Metodologjia e propozimeve, do të jetë ajo e vetëpropozimit, propozimit nga anëtarësia ose propozimit nga organet qendrore të PD-së.

Pavarësisht nëse një kandidat mund të propozohet për të garuar në më shumë sesa një zonë, nuk lejohet që një kandidat të aplikojë për t’u paraqitur njëkohësisht në më shumë sesa në një garë primare.

Mbi kriteret, parashtrohet se ata duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.

Një sërë kriteresh të tjera, përfshin edhe procedin e ashtuquajtur të “dekomunistizimit”, ku nëse një person, i cili kërkon pjesëmarrje, ka qenë anëtar i Partisë së Punës apo ka ushtruar funksione publike në shërbim të kësaj partie, nuk lejohet të jetë pjesëmarrës.

Për procesin, kur votimet të kryhen, do të ketë ngritje të qendrave të posaçme të votimit, me kriteret e një votimi të mirëfilltë zgjedhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore