Shqipëria

PD-ja me kryetar Alibeajn regjistrohet në zgjedhje, Berisha ‘de jure’ jashtë vendoreve


Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn, është zyrtarisht e regjistruar për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, pas miratimit që mori nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili në bazë të vendimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanskioneve, e regjistroi forcën e djathtë politike.

Një plotësim dokumentacioni i kërkuar nga KAS, ku përfshihej edhe një deklaratë solemne e nënshkruar nga Alibeaj si kryetar i komanduar i partisë, ka bërë të mundur edhe aktin faktit të pjesëmarrjes së PD-së në vendoret e ardhshme.

Mirëpo ai, i cili ligjërisht nuk do të jetë pjesë e tyre (me vendimet e deri tanishme), është Sali Berisha, pasi Celibashi e rrëzoi kërkesën e Partisë së Lirisë për të kaluar koalicionin “Bashkë Fitojmë” me të gjitha partitë pjesëmarrëse.

‘Bashkë Fitojmë’, Berisha dhe Meta dorëzojnë zyrtarisht kërkesën për koalicion

Katër të tilla ishin në dokumentacionin e dorëzuar prej përfaqësuesit ligjor të PL-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por Partia Demokratike e Berishës, nuk ekziston si forcë politike ligjërisht dhe ndaj, regjistrimi i bërë nga Celibashi, ka përfshirë vetëm tre parti në koalicion: Partinë e Lirisë, atë Demokristiane si edhe Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi është kundërshtuar nga përfaqësuesi i Berishës në KQZ, si edhe nga ai i Partisë së Lirisë si forcë kryesuese, por nuk është marrë për bazë nga Celibashi, i cili ka zbatuar Kodin Zgjedhor një regjistrimin e koalicioneve, apo vetë partive politike.

Thënë kjo, asgjë nuk ndryshon në logjikën e marrëveshjes mes katër palëve (përfshirë Berishën), ku sërish Berisha do të ketë shumicën e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe pjesa e mbetur do të ndahet mes tre partive të tjera, në bazë të zonave.

Ndarja e këshilltarëve bashkiakë gjithashtu do të shkojë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2022, ku pritet sërish që Berisha të ketë shumicën e vendeve në listë.

Teksa, vendimi, pritet të ankimohet sërish në KAS, apo deri edhe në Kolegjin Zgjedhor nëse lind nevoja.

Por, ka pak gjasë që rrethanat në zgjedhje të ndryshojnë.

Alibeaj do të ketë “luksin” e logos dhe emrit të tij në fletë, ndërsa Berisha, garimin do ta shohë sërish nën ombrellën e Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore