Shqipëria

PD-ja kërkon përjashtimin e Spiropalit nga Kuvendi për gjuhë fyese


Një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë dorëzuar një kërkesë për masë disiplinore ndaj ministres dhe deputetes socialiste Elisa Spiropali.

Kjo, për sjellje joparlamentare, gjuhën provokuese dhe fyese, aspak etike, ndaj deputetit demokrat Edmond Spaho.

“Këto sjellje janë të patolerueshme dhe të padenja për një ministre dhe një deputete e Kuvendit të Shqipërisë”, vëren shkresa e demokratëve drejtur kryekuvendares Lindita Nikolla.

Spaho u përjashtua nga punimet e Kuvendit për thyerje të etikës plenare së bashku me 5 deputetë demokratë.

“Së pari një minutë heshtje për Edmond Spahon që ra në komisionin e etikës si një revolucionar i vërtetë”.

Kjo ishte deklarata e ministres së shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali drejtuar deputetit demokrat.

“Nuk i kuptoni metaforat po s’kemi ç’bëjmë. Ai ishte pa diskutim më i guximshmi mes bilbilfryrëve dhe me më shumë vlerë se ju së bashku dhe do jetë gjithnjë në zemrat tona pas 20 ditësh bashkë me ju në revolucionin e radhës”, u shpreh Spiropali.

Ndërhyrje në këtë rast ka pasur nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Kërkesa e saj ka qenë për të ju “përmbajtur procedurës”.

Spiropali ka vijuar më pas me deklarata drejtuar opozitës.

Në 25 ditët e fundit, nga seancat plenare janë përjashtuar mbi 20 deputetë demokratë. Kjo, me kërkesë të socialistëve pasi sipas tyre është shkelur etika plenare.

Të parët në nisjen e valës së përjashtimeve ishin kryedemokrati Sali Berisha dhe katër deputetët Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi.

Përjashtimi i tyre erdhi pasi ata bllokuan foltoren dhe punimet e Kuvendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore