Shqipëria

PD-ja denoncon nismën për port ushtarak në Porto Romano


Partia Demokratike ka denoncuar nismën e qeverisë shqiptare për ndërtimin e një porti ushtarak në Porto Romano.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e selisë blu, Floriana Garo, duke cituar fjalën e saj para mediave.

“Ne informojmë NATO-n se prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano”, deklaroi fillimisht Garo.

PD-ja shprehu gjithashtu mbështjetjen e plotë për bashkëpunimin me NATO-n si vend anëtar i saj.

Kjo, për çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlanikut të Veriut në territorin e Shqipërisë.

Garo sqaroi më tej se ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive”, shtoi zëdhënësja demokrate.

Autoritetet shqiptare janë në bisedime me NATO-n për të ndërtuar një bazë detare në Porto Romano, një port në ndërtim e sipër në Adriatik.

Kreu i qeverisë shqiptare zbuloi në një konferencë shtypi se Porto Romano, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.

Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria, sipas Ramës.

“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”, nënvizonte kryeministri.

Në muajin maj, Rama zbuloi se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare në Pashaliman.

Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetësesh në vitet ’50 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore