Shqipëria

PD i përgjigjet Berishës: Mbron bandat dhe je peng i tyre


Partia  Demokratike (PD) i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, për deputetin Gazment Bardhi.

“PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës”, shkruhet në një njoftim në faqen zyrtare të PD-së.

Sipas grupit Parlamentar të selisë blu, “është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD”.

Në postim shkruhet se Berisha bëri koalicion edhe me Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, dhe për hallin e tij, Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, ish-kreyministri nga selia blu deklaroi se “Bardhi po lufton për të shpëtuar shpirtin e tij”.

Berisha i kërkoi Bardhit që  të zbardhë rolin e tij në ngjarjen e Elbasanit ku u vra Pjerin Xhuvani.

Çfarë ndodhi në Elbasan më 21 prill 2021?

E mërkura e 21 prillit, katër ditë përpara zgjedhjeve, e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë, të tronditur nga një vrasje, e cila pati sfond elektoral.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan. Katër të tjerë u plagosën në ngjarje, ndër të cilat një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, ku është shoqëruar në komisariat. Deklarata e tij, pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore