Shqipëria

PD – e Alibeajt – me 61 kandidatë për zgjedhjet vendore


Pasi e cilësoi veten si kryetar të vetëm të Partisë Demokratike, kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se fraksioni i tij do të dalë me kandidatë për të gjitha bashkitë e vendit, në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Në këtë përfundim ka dalë “gjysma” tjetër e PD-së, pas dështimit të negociatave me grupimin e Sali Berishës, kur është ky i fundit, ai i cili njihet si kryetar i forcës politike, edhe pse ende jo me vendim gjykate.

Këtë të fundit, Alibeaj ka theksuar se po e pret dhe ka besim se do të njohë statutin e 18 dhjetorit, të kuvendit të thirrur nga Lulzim Basha e jo atë të 11 dhjetorit, të thirrur nga Berisha.

Pas një mbledhjeje të Kolegjit të Kryetarëve, Alibeaj ka qartësuar se dy qëllime kryesore, ishin në vëmendje të këtij takimi.

I pari, lidhet me informimin për zhvillimet e fundit dhe synimin për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore.

I dyti, me riorganizimin e degëve të PD-së, në funksion të rifreskimit dhe ripërtëritjes apo identifikimit të kandidaturave për kandidatët në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Mbi këto të fundit, sipas Alibeajt, ka pasur shumë kandidatura, të cilat janë depozituar prej kohësh në PD.

Ndaj, shumë shpejt, do të bëhet edhe përzgjedhja e tyre dhe do të dilet me kandidat në të gjitha bashkitë e vendit.

Mbledhje sipas tij, janë zhvilluar në Durrës, Tiranë dhe ky i fundit në Fier. Ndërsa, mbledhja e radhës, është paralajmëruar në Lezhë.

Kjo, për të referuar se demokratët janë në paradhomë të fushatës zgjedhore dhe është e udhës që demokratët duhet të dalin në terren, duke cituar Alibeajn.

“Në të gjithë këtë lëvizjen tonë nuk duam e nuk e kemi bërë lëshimin e sinjaleve provokative, beteja jonë është me regjimin, aleatët tanë janë qytetarët”, përmbylli ai.

PD-ja e manipuluar, paunifikuar dhe parithemeluar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore