Shqipëria

PD do të marrë pjesë në lokalet e pjesshme me 6 kandidatë


Nuk ka më dyshime se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri, me një kandidat zyrtar për çdo bashki ku do të garohet.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtuesi politik i sapo emëruar i qarkut Korçë, Ervin Salianji, i cili ka garantuar të djathtët se beteja “do të fitohet”.

Dyshime janë hedhur se duke pasur një Parti Demokratike të fragmentarizuar për shkak të lëvizjes Berisha, kandidatë të tjerë nga ky i fundit, mund të futen në garë në emër të demokratëve.

Por, këtë zë, Salianji e ka hedhur poshtë, duke thënë se Berisha, nuk e ka një parti, ndaj nuk mund të ketë kandidatë në zgjedhje.

“Ne do të jemi me të gjithë potencialin dhe faktorin opozitar që te PD shihet e vetmja mundësi për ndryshim”, ka theksuar Salianji.

Për më tepër, sipas Salianjit, në PD po rikthehen edhe figura të rëndësishme. Ndër ta, ish-themelues të degëve të ndryshme të partisë, duke e bërë kështu strukturën më të fortë.

Ai garantoi se PD-ja do të jetë e bashkuar më 6 mars. Ndërsa, gara, është hapur tashmë zyrtarisht dhe priten emrat e parë të listave.

Gjashtë bashkitë ku garohen, janë ajo e Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjës.

Tre prej tyre, janë bastione historike të demokratëve, teksa Durrësi dhe Rrogozhina, kanë qenë gjithnjë beteja të afërta.

Gjithçka mbetet për t’u parë, është ndikimi që do të ketë Berisha në këtë provë të parë pas parlamentareve të 2021-shit dhe si do të përballet kryetari, Lulzim Basha, me paraardhësin e tij në sfondin elektoral të 6 marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore