Shqipëria

PBB/ Rritet sërish ekonomia shqiptare


Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje për të dytin tremujor radhazi, duke performuar pozitivisht dhe duke iu rikthyer ritmeve të qëndrueshme të rritjes.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, ka qenë një rritje prej 5.53% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Krahasuar me tremujorin e parë të 2021-shit, bilanci është shpresëdhënës. Kjo, pasi vitin e shkuar, është shënuar rënie me 2.78%.

Rritje ka pasur edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020. Por, ajo ishte në rendin e 2.37%.

Dega e ekonomisë që ka sjellë kontribut më të madh pozitiv, ka qenë industria, energjia dhe uji. Rritja në këtë sektor ka qenë me 2.56 pikë.

Ndërtimi ka qenë gjithashtu në rritje, me 1.09 pikë. Po ashtu, edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, me 0.97 pikë përqindjeje.

Referuar të dhënave, konsumi final i popullatës është rritur me 1.49%. Ky komponent përbën edhe aspektin kryesor të shpenzimeve.

Konsumi final i qeverisë u rrit me 5.16%. Formimi bruto i kapitalit fiks, nga ana tjetër, shënoi rritje me plot 21.11%.

Rritje të lehtë shënuan eksportet e mallrave, me 0.66%. Importet ndërkaq, u rritën me 7.55%.

Sipas ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, këto tregues pozitivë, reflektojnë edhe masat e ndërmarra nga qeveria për të mbështetur bizneset dhe qytetarët pas pandemisë.

Sipas vlerësimeve aktuale të situatës makroekonomike ndërkaq, mbështetja buxhetore po reflektohet edhe gjatë këtij viti, për sektorët jetikë. Kjo, sipas ministres, do të ndikojë drejtpërdrejt mbi mirëqenien e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore