Lajme

Pavarësia e Kosovës është punë e kryer – Serbia ta njohë realitetin e ri


“Pavarësia e Kosovës është punë e kryer”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në mbledhjen e të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën.

Madje sipas saj “do të ishte mirë për Serbinë sa më parë që e pranon këtë”.

Kryediplomatja kosovare para anëtarëve të OKB-së ka folur për dëmet që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, duke mos e harruar as vrasjen e babit të saj Jusuf Gërvalla.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin – duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, tha Gërvalla.

Donika Gërvalla, ministre e MPJ-së
Donika Gërvalla, ministre e MPJ-së

“Kemi gjithë interesimin për të normalizuar marrëdhënien me Serbinë. Kemi interesimin për perspektivën evropiane dhe jo atë të mesjetës. Jemi vend i vogël por i posaçëm. Jemi të vegjël por qëndrojmë drejt. Kemi miq të besueshëm dhe jemi të besueshëm për ta”.

Gërvalla ka deklaruar se Serbia duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë dhe ta pranojë realitetin e Kosovës si shtet i pavarur.

“Vendi ynë mbetet i hapur që me gjithë dëmin që ka shkaktuar Serbia, të zgjatim dorën dhe të fillojmë një epokë të re”.

“Si është e mundur që Serbia nuk ka kurrfarë lloj ndjenje për këto nëna, për fëmijët e tyre. Nuk po flasim për ngjarjet e shekullit të 19, nuk po flasim për luftën e parë botërore apo luftën e dytë botërore, po flasim dhe është një memorie e gjallë, viktimat që kanë mbijetuar janë kryesisht ende gjallë.

“Edhe shumica e atyre që kanë kryer këto vepra të paarsyeshme që kanë shkaktuar më shumë se 13 mijë viktima janë ende gjallë, ata gëzojnë jetën e tyre në Serbi e tjetërkund dhe shpesh herë edhe përmenden e përgëzohen për ato ngjarje. Tani imagjinoni shifrat për vendet e juaja”.

“Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet dhe të bëhet komb i civilizuar e evropian. Serbia e ka kaluar një periudhë të errët, një mendësi mesjetare e kthyer nga e kaluara dhe ajo që e ka çuar Serbinë në racizëm e fashizëm në fund të viteve të 90-ta”.

Gërvalla shtoi po ashtu se “në Kosovë do të bëhet reformë në drejtësi, investime dhe se do të ketë sundim të ligjit”.

“Raporti i UNMIK është vetëm një javë pas krijimit të Qeverisë sonë të re. Shumica ka votuar që të çlirojë veten nga korrupsioni dhe krimi. Jemi në një udhëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesat e popullit tonë, për ta bërë vendin tonë të ri plotësisht të njohur ku sundimi i ligjit dhe demokracia funksionojnë”.

“Njëkohësisht me pandeminë po përgatitemi për implementimin e kësaj epoke me një sërë çështje që të lëmë një epokë të korruptuar prapa. Po përgatitemi për reforma në drejtësi, investime dhe sundim të ligjit në vend të korrupsionit në një shoqëri me mendësi evropiane. Njerëzit na kanë dhënë besimin e këtij ndryshimi historik dhe jemi të përkushtuar ta zbatojmë atë”.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakovic, tha se “Projekti i Kosovës së pavarur është duke shkuar drejt dështimit sepse deri tash nuk është e njohur nga gjysma e vendeve anëtare të OKB-së dhe po ashtu nga pesë vende anëtare të BE-së”.

“Kryeministri aktual në Prishtinë vazhdimit ka kërcënuar me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në të kaluarën. Këto ide janë kërcënim apo shkelje të Rezolutës 1244 dhe kërcënojnë tërë rajonin”, tha ai.

“Kemi demonstruar vazhdimisht përkushtimin tonë për dialog si mënyrën e vetme për zgjidhje paqësore dhe edhe sot pas shumë vitesh të negocimit dhe lëvizjeve unilaterale të Prishtinës, prapë jemi të gatshëm që të ulemi në tavolinë”.

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, Richard Mills, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të rifillojnë dialogun në Bruksel për përmbylljen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

“ShBA mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, tanimë me qeverinë e re të Kosovës, ne mirëpresim planet e përfaqësuesit special të BE-së që të rifillojë dialogu në të ardhmen e  afërt. Është arritur progres nga palët edhe pse mund të mos shihet aty në raportet e këtij mëngjesi, por këto kanë kontribuar në përmirësim e jetës të qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi”.

“SHBA inkurajojnë të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e kaluara dhe t’i qasen rifillimit të dialogut në mënyrë pragmatike dhe produktive, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit“, tha përfaqësuesi i SHBA-së”.

“SHBA edhe njëherë i rikujton UNMIK-ut se roli i tij në Kosovë është përmbushur dhe se tashmë është koha që të përmbyllet misioni i tij”.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, përveç përfaqësuesit të SHBA-së edhe Britania e Madhe ka kërkuar rishikim të gjithë rolit të UNMIK-ut dhe përgjegjësive të tij dhe për të siguruar që mandati të mbetet relevant dhe të funksionojë normalisht.

Flamuri i Kosovës u bë shkak i ndërprerjes së takimit virtual në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kryesuesi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga Vietnami ka ndërprerë takimin virtual, për shkak se përfaqësuesi i Rusisë, Dmitry Polyanskiy, ka kërkuar që përfaqësuesja e Kosovës, Donika Gërvalla ta largojë flamurin e Kosovës nga prapavija.

“Rusia në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës në prapavijë ose të ndryshojë ambientin”, ka shkruar në Tëitter, producentja për “Al Jazeera English”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore