“Patëm një bisedë të thellë” – Përfundon takimi i Kurtit me Lajçak-un dhe këshilltarët e Scholz dhe Macron

Miroslav Lajçak

Dreni Himbeqa
09.09.2022 12:34
Loading Icons...

I deleguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para mediave ka deklaruar se takimi ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe se me të parin e ekzekutivit kosovar kanë pasur një bisedë të thellë për çështjen e dialogut.

Lajçak i shoqëruar me këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, nuk u lëshua shumë në detaje për takimin për të cilën tha se ka zgjatur më shumë se 2 orë.

“Kemi biseduar për dialogun dhe mënyrën se si mund të sjellim një dinamik të re në bisedime për të shtyrë procesin përpara. Ishte një bisedë e thellë dhe e rëndësishme, besojë se mund të na kuptoni se ne nuk mund të lëshohemi në detaje pasi që do të kemi të njëjtën diskutim edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, ka thënë Lajçak para gazetarëve.

Jens Ploetner dhe Emmanuel Bonne janë pritur nga i pari i ekzekutivit në ndërtesën e Qeverisë së Kosovë, ku zhvilluan një takim kokë më kokë, pa praninë e mediave.

Megjithatë para mediave foli vetëm diplomati sllovak, ndërsa top-diplomatët gjermano-francez nuk u deklaruan për takimin në fjalë.

Përpos tyre as Albin Kurti nuk dha detaje se çka u diskutua në këtë takim.

Miroslav Lajçak, Jens Ploetner dhe Emmanuel Bonne, para takimit me Kurtin

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se qëllim i vizitës është të eksplorohen opsionet për përparim në dialog.

Ndryshe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ditë më parë kanë dërguar një mesazh të qartë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se të dy liderët duhet të marrin vendime të vështira në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Se sa e rëndësishme është kjo zgjidhje e shpejtë, për t’i dhënë “problemit të kamotshëm” fund, siç precizon letra, tregohet edhe me lëvizjen konkrete të angazhimit të dy këshilltarëve kryesorë për politikë të jashtme të Macron e Scholz-it në këtë proces.

Emmanuel Bonne, këshilltari kryesor në politiken e jashtme i presidentit francez, qysh nga viti 2019, dhe Jens Plotner, me pozitë të njëjtë pranë kancerlarit gjerman, që nga dhjetori i vitit 2021, do të udhëtojnë drejt Kosovës, bashkë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

“Propozimi ynë”, shkruajnë Macron e Scholz, “është, që Këshilltarët tanë të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajcak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”.

“Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj”.

Të fundit

Aktuale