Sport

Pasqyra e sezonit të ri të Champions League


Të martë më 14 shtator, fillon sezoni i ri i kompeticionit më të madh për klube, Champions League.

Champions League fillon sezonin e 67-të në histori, që nga inaugurimi i saj në vitin 1955.

Edhe këtë vit, sikur çdo vit tjetër, lufta për trofeun do të jetë e madhe, me 32 skuadra që fillojnë nga faza e grupeve.

Qyteti i ‘bekuar’ për majin e 2022-ës është Shën Petersburg-u i Rusisë, që do të organizojë finalen e madhe.

Krevstovsky Stadium, Rusi

Ky sezon vjen me ndryshime të mëdha, që do t’i vë në lëvizje transferimet e mëdha të kësaj vere.

E sezoni nis pikërisht me njërin nga ta.

Në Zvicër, Cristiano Ronaldo me Manchester United udhëtojnë për t’u përballur me Young Boys, me fillim në orën 18:45.

Në grupin F, së bashku me djajtë e kuq, ndeshjet i zhvillojnë edhe Villarreal e Atalanta.

Lionel Messi te Paris Saint-Germain është ndryshimi i madh i këtij sezoni, me argjentinasin që për herë të parë në karrierë nuk do të luaj me Barcelonën.

Paris-i i Messi-t, Ramos-it, Hakim-it, Mbappe-s, Neymar-it e shumë yjeve tjerë e nis rrugën e tyre të mërkurën, me ndeshjen përballë Club Brugge në Belgjikë.

Së bashku me ta në grupin A, Pep Guardiola, Manchester City dhe Jack Grealish, e nisi rrugëtimin e lënë në gjysmë përballë Leipzig-ut.

Te Chelsea, kthehet Lukaku, deri sa në grupin H me ta, Juventus-i vie pa Cristiano-n e në një formë shumë të dobët.

Kampionët Evropian e nisin rrugën për mbrojtjen e titullit të martën në Londër përballë Zenit, deri sa zonja e vjetër udhëton në Suedi për ndeshjen me Malmo-n.

Barcelona ndryshe, pa liderin e tyre historik, vjen në grupin E së bashku me makthin e tyre, Bayern Munich, dhe Benfica-n e Dinamo Kiev-in.

Fazën e grupeve e nisin të martën, me Bayern-in që viziton “Camp Nou-n”, dhe Benfica-n që udhëton në Ukrainë.

Real Madrid-i i cili humbi Ramos-in e Varane-n, të cilit iu largua Zidane, vjen me një “deja-vu” në grup.

Ata përballen me Inter-in në ndeshjen hapësë në “Guizeppe Meazza”, deri sa në grupin e tyre përsëri është Shakhtar Donetsk.

Përveç tyre, në grupin D bëjnë pjesë edhe modestët e Sheriff Tiraspol.

Ndërsa, në grupin B, kthehet në Champions League pas shumë viteve, Milan-i.

Kuqezinjtë të mërkurën luajnë klasiken në “Anfield”, përballë Liverpool-it.

E bashk në grup me ta, janë edhe kampionët e Spanjës, Atletico Madrid-i dhe Porto.

Grupet e mbetura, C dhe G, janë pak më modeste.

Në grupin C bëjnë pjesë: Dortmund, Ajax, Sporting dhe Besiktas.

Në grupin G bëjnë pjesë: Lille, Salzburg, Wolfsburg dhe Sevilla.

Nesër Champions League çel siparin edhe të një tjetër sezoni madhështor, me futbollin që vazhdon të dhurojë magji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore