Shqipëria

Pasaportat dhe kartat ID do të prodhohen nga një kompani shtetërore


Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e kompanisë shtetërore që do të prodhojë pasaportat dhe kartat biometrike.

Tanimë, nuk do të jetë më Aleat-i që do të merret me prodhimin e pasaportave dhe kartave biometrike, por do t’i kalojë shtetit.

Çka i hap rrugën Ministrisë së Brendshme, e cila përfaqëson shtetin si pronar 100 për qind të aksioneve të shoqërisë aksionare, që të punojë për ngritjen e kompanisë shtetërore brenda 30 ditëve.

Sakaq, krijimi i kësaj kompanie do t’i kushtojë buxhetit të 20 milionë lekë.

Deri më tani nuk dihet se çfarë çmimesh do të përcaktohen për pasaportat dhe kartat biometrike, por tarifat do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Për të nxjerrë një pasaportë personale, aktualisht shqiptarët duhet të paguajnë 7 mijë e 500 lekë për një afat 15 ditor.

Për një afat të përshpejtuar në vetëm dy apo tre ditë duhet të paguajnë 18 mijë lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1 mijë e 500 lekë.

Ndërkohë, me kalimin e prodhimit të këtyre dokumenteve në duar të shtetit është hedhur ideja e uljes së çmimeve. Por ende nuk ka një vendimmarrje.

Meqë pasaporta është dokument jo i detyrueshëm dhe mund të bëhet me dëshirë, nuk priten shumë ulje çmimi. Kurse për kartat e identitetit, të cilat janë të detyrueshme për personat mbi 16-vjeç, situata është e ndryshme.

Ky është koncensioni i dytë brenda pak kohësh që kalon nga koncensionari në duar të shtetit, pas atij të kontrollit teknik të automjeteve.

Kontrata me Aleat-in përfundon në muajin korrik 2023. I gjithë kalimi nga Aleat në një kompaninë private do të bëhet brenda vitit 2023 dhe nisja e punës pritet të jetë gushti ose shtatori i këtij viti.

Ndërkaq, Aleat-i ka detyrimin të vijojë prodhimin e dokumenteve edhe për një kohë të caktuar pas përfundimit të kontratës, derisa kompania shtetërore të jetë gati për të nisur punën.

Të gjitha asetet që janë krijuar nga kompania koncensionare, si burimet njerëzore, vendet e aplikimeve dhe pajisjet e investuara ndër vite, pritet t’i kalojnë kompanisë shtetërore.

Kjo e fundit do të ofrojë kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike; dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare).

Po ashtu letërnjoftimin elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese; dokumentin e udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese; si dhe çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore.

Gjithashtu çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore