Shqipëria

Pas zvarritjeve disa-vjeçare, Bursa e Energjisë është gati


E njoftuar në vitin 2019 për herë të parë Bursa Shqiptare e Energjisë, do të vihet në funksion së shpejti.

Që para 3 vitesh, mazhoranca pati premtuar se Bursa – e cila krijon një standard të ri në tregun e energjisë duke sjellë furnizim më të mirë me energji elektrike dhe shërbim më cilësor – do të ishte në prioritetet e Programit Qeverisës.

Finalizimi i projektit ka qenë i vështirë pasi shpesh ka hasur në zvarritje.

Por tashmë, ai ka marrë një rëndësi të veçantë, pasi është kërkuar me ngulm për t’u bërë funksional për shkak të procesit të liberalizimit.

Kështu, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) këtë javë u licencua nga Enti Rregullator për një afat 5-vjeçar.

Në vendimin e ERE-s shpjegohet procedura e operimit të ALPEX.

“ALPEX, do të kryejë veprimtari që lidhen me krijimin, menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike nëpërmjet platformës së tregut, në bazë të ditës në avancë dhe brenda se njëjtës ditë”.

Hapja e bursës ndaj të gjithë operatorëve të tregut, pritet të garantojë transparencë financiare në sektor, si dhe përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra kundrejt Komunitetit Evropian të Energjisë.

Lehtësimet

Kështu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë bëri të ditur se ka përgatitur një vendim për të përjashtuar nga taksa e vlerës së shtuar makineritë dhe pajisjet e tjera të importuara për prodhimin e energjisë së gjelbër.

Kjo, për të ndihmuar në shkëmbimin e energjisë elektrike, që do të nisë në 23 nëntor.

Pas dy muaj diskutimesh me një grup pune me përfaqësues të sektorit të biznesit, Ministria tha se ka vendosur të miratojë disa nga kërkesat e tyre për të lehtësuar ndikimin e krizës energjetike.

Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kritikuar herë pas here përjashtimet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, Qeveria vendosi të prezantojë masën për të gjitha makineritë dhe pajisjet e tjera të importuara për të investuar në energjinë diellore dhe energjinë e erës.

Efekti financiar i përjashtimit nga TVSH-ja ende nuk është vlerësuar. Projektvendimi i ministrisë i kaloi për vlerësim Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

ALPEX, që do të nisë funksionimin muajin e ardhshëm, pritet të ketë probleme likuiditeti pasi KESH-i po blen të gjithë energjinë elektrike për shkak të masave aktuale të emergjencës.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shprehu besimin se tregu do të rritet, por gjithashtu vuri në dukje se operatori shtetëror KESH është aktualisht i autorizuar – sipas rregullave emergjente për sigurinë e furnizimit – të blejnë të gjithë energjinë elektrike të nevojshme për konsumatorët vendas.

Themelimi i Bursës shënon një fazë të re në sektorin e energjisë, i cili do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike.

Po ashtu ajo do të ndikojë në shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare dhe pritet që çmimi i energjisë elektrike të ulet për qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria.

Kjo pasi, në vitin 2020 në Prishtinë, Administratori i OST-së, Skerdi Drenova dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, Ilir Shala, nënshkruan marrëveshjen e aksionarëve për themelimin e Bursës si dhe miratuan statutin e saj.

Përveç tjerash, ALPEX, do të inkurajojë investime të reja në gjenerimin e energjisë elektrike dhe në rrjetet e transmetimit në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve ekzistuese të energjisë në të dyja vendet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore