Sport

Pas shumë emocionesh, caktohet çifti i parë gjysmëfinalist i Australian Open


Ngadalë po merr formën grand-slami i parë i vitit 2022, që po zhvillohet në Australi.

Derisa në Shqipëri është dimër, i nxehti i madh karakterizon një turne shumë interesant që nisi para se të luhej në fushë, më çështjen Djokovic.

Por, duke lënë pas atë, tenisi i shfaqur në këtë edicion të Australian Open ka qenë i një niveli shumë të lartë.

Këtë e ka vërtetuar edhe e marta e 25 janarit, me dy ndeshjet çerekfinale që përcaktuan gjysmëfinalen e parë.

Ndeshja e parë e ditës ishte ajo mes Denis Shapovalov dhe Rafael Nadal.

Nadal, që me triumfin e Australian Open ka mundësi që të shndërrohet në tenistin më të suksesshëm të të gjitha kohërave, e nisi takimin më mirë.

Spanjolli fitoi dy setet e para me rezultat 3-6, 4-6.

Kur u duk se spanjolli po shkonte drejt një fitoreje të pastër, Shapovalov u kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë duke fituar setet tre dhe katër me rezultat 6-4, 6-3.

Gjithçka do të duhej të zgjidhej në setin e fundit, dhe këtu u fut në lojë eksperienca e Rafael Nadal.

Në një ndeshje që zgjati 4 orë e 8 minuta, triumfues doli Nadal me rezultat 2-3 (3-6, 4-6, 6-4, 6-3, 3-6) me sete.

Sikur shpeshherë gjatë këtij edicioni, kur çfarë ka ndodhur në ndeshjen e parë zakonisht është përcjellur në takimet tjera, ka ndodhur edhe sot.

Përballë në çerekfinalen e dytë të ditës ishin Gael Monfils dhe Matteo Berrettini.

Italiani ishte favorit, dhe këtë e vërtetoi në dy setet e para të takimit, të cilat i fitoi me rezultat identik, 4-6.

Mirëpo, Monfils nuk e kishte ndërmend që punën t’ia bënte të lehtë, dhe kështu arriti që të fitojë dy setet pasardhëse, të dyja me rezultat 6-3.

Edhe këtu, si në ndeshjen e kaluar, favoriti tregoi qetësinë në fund për të fituar takimin.

Pas 3 orë e 49 minuta, Berrettini arriti të fitojë 2-3 (4-6, 4-6, 6-4, 6-3, 2-6) me sete.

Kështu, u kompletua edhe çifti i parë i gjysmëfinaleve të Australian Open.

Ndeshja mes Rafael Nadal dhe Matteo Berrettini do të zhvillohet gjatë të enjtes së 27 janarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore