Pas rastit të foshnjës në Pejë, MSH-ja shkarkon nga detyra u.d. e kryeinspektorit shëndetësor
kryeinspektor i Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj
Altina Marmullaku
22.12.2022 15:31Pas ngjarjes që ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku një foshnjë e porsalindur pa shenja jetë është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe, Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është shkarkuar kryeinspektor i Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.
Nga Ministria është thënë se ky vendim është marrë pas mbledhjes së të gjitha informacioneve.
“Sot pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj”, është thënë në njoftimin e MSH-së.
Nga ky institucion është dhënë edhe arsyetimi për shkarkimin e kryeinspektorit shëndetësor.
“Në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”.
Për mospërmbushjen e detyrave në mënyrën e duhur ministria ka shprehur keqardhje.
“Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ripërsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garandatohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore”.
“Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale”.
MSH ka kërkuar angazhimin e Prokurorisë dhe Policisë që ky rast të zbardhet.
“Në të njëjtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi”.
Sipas tyre, “u. d. Ministrja e Shëndetësisë ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar”.
Gjatë ditës Albanian Post, ka kontaktuar edhe me Spitalin e Pejës të cilët kanë thënë se hetimet për këtë rast kishin filluar me 14 dhjetor.
“Hetimet rreth këtij rasti kanë filluar menjëherë të nesërmen që ka ndodhur rasti më 14.12.2022 dhe edhe nga ana jonë ka pasur komunikim dhe bashkëpunim të plotë me organet hetuese Policinë e Prokurorin si dhe Inspektoriatin shëndetësor dhe nuk ka pasur asnjë vonesë për lajmërim të rastit apo tendencë për fshehjen e tij”, është thënë në përgjigjen e spitalit për Albanian Post.
Ndërkaq, sa i përket përgjigjeve në pyetjet e tjera të njëjtit kanë qëndruar të rezervuar me arsyetimin se rasti vazhdon të jetë në hetime.
“Për pyetjet tjera rreth detajeve të rastit nuk mund të flasim sepse hetimet ende nuk janë mbyllur nga ana e organeve të hetuesisë por as procedurat tona disiplinore si institucion që jemi”.
Për rastin e foshnjës së porsalindur e cila ishte futur pa shenja jete bashkë me çarçafë në një lavatriçe ishin njoftuar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.