Lajme

Pas protestave të 2022-shit, s’ka kthim pas për Iranin


Nuk qe tundur ndonjëherë regjimi iranian në të tillë mënyrë, që prej revolucionit islamik në vitin 1979.

Një e treta e vitit në Republikën Islamike, ka kaluar në protesta të ashpra, të dhunshme, të përgjakshme.

Mbi 500 protestues e kanë dhënë jetën me britmën e fundit për liri të jetës, për të jetuar si dëshirohet, për të mos qenë të burgosur brenda kufijve mendorë të ideologjive fetare.

Mes tyre, ishin edhe 69 fëmijë të vrarë, në bazë të gjithë të dhënave që kanë organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat operojnë në Teheran.

Gjithçka nisi më 16 shtator.

Një vajze kurde, e quajtur Mahsa Amini, 22 vjeçe, pati vdekur në një spital të Teheranit, në rrethana shumë të dyshimta.

Tre ditë më parë, ajo ishte rrahur brutalisht nga një Polici Morali e instaluar prej regjimit.

Dhunimi kishte ndodhur sepse Amini, në sa pretendohet, nuk e vendosur shaminë në mënyrë korrekte, sipas rregullit islamik dhe kësisoj, ishte rrahur barbarisht.

Nuk pati asnjë sekondë hezitimi dhe tolerimi ndaj këtij gjesti.

Gratë trime iraniane, u dergjën rrugëve, për t’i thënë burrave të vendit se baltë mbi fytyrat e tyre, nuk mundej të hidhej.

Si shaka e kripur – ose në rastin më të mirë si revoltë momentale e parëndësishme – u mor fillimisht kjo kryengritje e vërtetë e grave të vendit.

Nuk është se protesta të tilla nuk kanë qenë parë më herët në Iran. Ka pasur të tilla në vitin 2009, kur iu parapri pranverës arabe, apo edhe në vitin 2017, 2018, edhe në nëntor të vitit 2019.

Por, dalëngadalë, u fillua të kuptohej se këto të shtatorit 2022, mbartnin diçka të ndryshme në vetvete.

Ishte fryma e atillë!

“Grua, Jetë, Liri”.

Këto ishin tre fjalët e sloganit, të cilit iu bashkuan figura shumë të njohura iraniane e më pas, gjithëkush, i cili kërkonte liri, qofshin burrat, adoleshentët, fëmijët.

Shamitë u hoqën e flokët filluan të priteshin, të mbaheshin ashtu tufë në dorë dhe t’i tregohej regjimit se diktat nuk kishte më, vetëm zgjedhje për një jetë të lirë.

Bota e pa këtë akt në Iran, këtë shfaqje të tejskajshme guximi nga gratë iraniane, pavarësisht kërcënimit se nëse goja hapej shumë, vdekja ishte ajo që priste pas dere.

Askush nuk u tremb. Përkundrazi!

Mbështetja ndaj protestës qytetare u shtua. Teheranit iu vu flaka literalisht dhe gjithçka Ayatollah Ali Khamenei mund të bënte, ishte të nxirrte rrugëve forcat speciale.

Përleshja ishte e pashmangshme, ku qindra mbetën të vrasë.

Rreth 15 mijë të tjerë u arrestuan.

Personaliteteve iraniane, të cilët dolën në protestë, iu mor çfarë mund t’i merrej. Pasuria, dyqanet, edhe liria nëse mundej.

Ajo që nuk u mor dot gjithsesi, i përkiste gjeneratës së re, gjeneratës Z, të cilët nuk u dorëzuan.

E vendosën ata se pas vrasjes së Mahsa Aminit, kthim pas nuk ka për vendin e tyre.

Adoleshentët filluan të ndërmerrnin akte simbolike të çuditshme, si fjala bie heqja e shalleve në formë turbani nga kokat e klerikëve.

Kjo do të çonte edhe në arrestimin e adoleshentëve, me burgosje prej disa ditësh, por pa pasoja.

Me kaq fat nuk ishin gjithsesi të tjerë.

Ndër të arrestuarit, shumë prej tyre akuzoheshin për vepra kriminale, të cilat sipas legjislaturës së Republikës Islamike, dënohen me vdekje.

Kërcënimi i ekzekutimeve, ishte kthyer tashmë në realitet.

I pari, e pati fatin e keq Mohsen Shekari, i cili ishte i akuzuar për vrasjen e qëllimshme të një polici.

Majid Reza Rahnavard e pasoi, pasi u var në qytetin e Mashhadit.

Të tjerë po ashtu me radhë, e një listë e gjatë personat, fatkeqësisht, janë duke pritur fatin e tyre.

Jo më të mirë e patën edhe një pjesë e grave protestuese në Iran, të cilat barbarisht u qëlluan në pjesët intime të tyre me armë zjarri nga forcat policore.

Në burg, demonstruesit e kapur po torturohen edhe më tej, pa mëshirë.

Por, kjo gjë nuk po e hedh tutje guximin e iranianëve për ndryshim, për të pasur jetën që duan, lirinë që duan.

Vrasja e Mahsa Aminit, e ngriti siparin e një perdeje që kishte zënë sytë e shumëkujt dhe i hapi rrugë shpalosjes së fuqisë qytetare dhe shpirtit të pavdekshëm të ndjenjës së lirisë.

Aq sa edhe në vendet perëndimore, ka pasur grumbullime masive, në mbështetje të popullit iranian.

 

Nga Auckland-i në Zelandën e Re, Londra, Melbourni, New York-u, Chigaco, Parisi, Roma, Seuli, Stokholmi, Sydney.

Shumë larg Iranit ideologjikisht të gjitha, por shumë pranë kauzës.

Konkretisht në Londër shpërthyen demonstrata të dhunshme jashtë ambasadës iraniane.

Në Paris të Francës, Policia arriti të përdorte gaz lotsjellës dhe taktikat kundër trazirave.

Kulmin gjithsesi, e prekën në Berlin, me mbushjen e sheshit kryesor në kryeqytetin gjerman, plot e përplot, me 80 mijë pjesëmarrës.

Mirëpo, teksa shihet një angazhim tërësor i popullatave në mbështetje të kauzës, nuk shihet e njëjta gjë nga ana e qeverive të këtyre vendeve.

Se sa në agoni regjimi iranian do të qëndrojë, varet sigurisht nga përshkallëzimi në Iran.

Por, përpos kësaj, edhe nga angazhimi evropian dhe ai amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore