Sport

Pas nënshkrimit të Messi-t, PSG-ja kërkon të zgjerojë kapacitetin e stadiumit


Nënshkrimi i Lionel Messi-t nga PSG-ja ka krijuar diskutime për stadiumin “Parc des Princes”, nëse impianti duhet të zgjerohet apo jo.

Sipas “SportBusiness”, në kampin parizien janë shtuar zërat që pohojnë se stadiumi duhet të rrisë kapacitetin e tij pritës.

Gjatë prezantimit të Messi-t, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi tha se “çdo klub i madh ka një stadium me kapacitet 80 mijë spektatorë në ditët e sotme”.

Emmanuel Gregoire, zëvendëskryetari i Bashkisë së Parisit deklaroi se “aktiviteti dhe fama e PSG-së meritojnë një vend që ofron më shumë vende për spektatorët”.

Aktualisht “Parc des Princes” ka kapacitet mbajtës rreth 48 mijë tifozë. Sipas Pierre Rabadan, këshilltar në Bashki për sportin, ka thënë se 80 mijë vende mund të shkojnë përtejë kapacitetit arkitektonik të stadiumit aktual.

Pierre Rabadan

Po sipas Rabadan-it, diskutimet e deritanishme janë fokusuar më së shumti në një shtesë prej 12 mijë vendesh, pra 60 mijë në total.

“Teknikisht, nuk mund t’ju them nëse mund ta çojmë kapacitetin në 80 mijë. Më duket se ky nuk ishte rasti në studimet që kam parë”, tha Rabadan-i.

“Ndoshta (Nasser Al-Khelaifi) kishte ide të reja. E dini, ata nuk na tregojnë gjithmonë gjithçka. Vetëm disa ditë më parë ne nuk e dinim që Messi do të vinte”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore