Lajme

Pas ‘McDonald’s’ dhe ‘Starbucks’ edhe ‘Coca-Cola’ pezullon biznesin në Rusi


Kompania “Coca-Cola” ka deklaruar se po pezullon operacionet e saj në Rusi.

Është e fundit në një varg markash të njohura perëndimore që ndalojnë punën e tyre në vend – pas njoftimeve të ngjashme sot nga “McDonald’s” dhe “Starbucks”.

“Zemrat tona janë me njerëzit që po durojnë efekte të pandërgjegjshme nga këto ngjarje tragjike në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë nga “Coca-Cola”.

Kompania e pijeve të gazuara ishte përballur me presion në rritje për t’u tërhequr nga Rusia, me “#BoycottCocaCola” në trend në median soiale Twitter ditët e fundit.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe vlerësojmë situatën me evoluimin e rrethanave”, përmbyllet njoftimi i tyre.

Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën.

Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore