Shqipëria

Pas mbi 2 orësh i marrë në pyetje, Berisha del nga Prokuroria: Basha, simboli më kriminal në historinë e 30 viteve demokraci


“Shëmtira më kryesore, akti më i paimagjinueshëm, momenti më kriminal në historinë e 30 viteve, ishte Lulzim Basha i rrethuar nga një bandë vrasësish, trafikantësh e pengmarrësish”.

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas dy orësh e 30 minuta i marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, ka dalë prej godinës me një zbardhje të dëshmisë së tij dhe një akuzë të fortë kundrejt kreut të demokratëve, Lulzim Bashës.

Sipas Berishës, ai në Prokurori ishte i thirrur prej Edi Ramës. Por, pavarësisht kësaj, ka shkuar të paraqitet, në respekt të parimeve të tij.

Për Berishën, qenia politike e Bashës përbën edhe momentin më dramatik, ku tregohen lidhjet e narko-shtetit mes politikanëve dhe kriminelëve.

“Sot, njeriu që është shkarkuar nga çdo funksion i PD-së, është simbol i pabesisë ekstreme politike dhe degradimit të lidhjeve me krimin”, vijoi ai.

Në një vijim akuzash për Bashën, Berisha ka rithënë sërish se sipas tij, Basha është bërë palë për të lejuar ndërtimin e kullave në oborrin e selisë blu.

Ndërsa, një paralajmërim e ka sjellë, për mbështetësit e Bashës.

“PD do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenarësh, vrasësish, trafikantësh. Emrat konkretë i keni të publikuar edhe në Facebook-un tim, disa prej tyre”.

Një reagim i Berishës ka ardhur edhe për deklaratat e vazhdueshme nga zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën Juglindore dhe Azinë, Gabriel Escobar, i cili i ftuar në Zërin e Amerikës, theksoi se një parti, nuk merret me akte vandale.

“E ftoj zotin Escobar të depozitojë çdo fakt në Gjykatë”, ka nënvizuar Berisha. “Nuk ka nevojë t’ua tregojë shqiptarëve”.

Ndërsa, mbështetjen e amerikanëve ndaj Bashës, e ka quajtur si një përçmim ndaj politikanëve të rinj shqiptarë.

“Të mbështesësh Bashën, nuk lufton dot Sali Berishën. Ua them unë që jo”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore