Sport

Pas kombëtareve, CONMEBOL-i kërkon përfshirjen e skuadrave evropiane në Copa Libertadores


Organi më i lartë qeverisës i futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL, është gati të bëjë investime të mëdha për të thithur skuadrat e evropiane në Copa Libertadores.

Sipas asaj që raportohet nga “Il Sole 24 Ore”, CONMEBOL-i, synon të afrojë emrat me peshë të futbollit evropian në turneun më të madh të saj për klube, Copa Libertadores. Kjo e fundit është turneu simotër i Champions League-s në Amerikën e Jugut.

Një bashkim i tillë vjen pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes CONMEBOL-it dhe UEFA-s, pak javë më parë.

Falë këtij bashkëpunimi pritet që edhe kombëtaret e Evropës dhe ato të Amerikës së Jugut, të kenë një kompeticion të përbashkët, që do të zhvillohet në Evropë.

Amerikano-jugorët janë gati të investojnë rreth 216 milionë euro për klubet që do të bëhen pjesë e Copa Libertadores 2022. Në fakt, një shumë e tillë është përafërsisht sa një e dhjeta e asaj që shpërndan UEFA, 2 miliardë euro.

Gjithashtu, skuadra kampione do të marrë 14 milionë euro, kundrejt 85 milionë eurove që merr kampioni i Evropës.

Pavarësisht shifrave, kjo shihet si mënyra më e mirë për të rritur shikueshmërinë e Copa Libertadores-it. Mbi të gjitha, skuadrat mund të luajnë në të dy kompeticionet, pasi nuk ka vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët mes CONMEBOL-it dhe UEFA-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore