Lajme

Pas fiaskos në zgjedhjet komunale, Arben Vitia fiton votat për kryetar qendre i VV-së në Prishtinë


Arben Vitia.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe ish kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia është zgjedhur kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur Vitia përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Duke ju falënderuar për kontributin e dhënë, ndihmën e paçmuar në çdo hap dhe për besimin që më dhatë në drejtimin e Qendrës së Prishtinës, ju ftoj që të përpiqemi së bashku, për më mirë, për më shumë”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Ai tutje e ka konsideruar procesin zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje si të suksesshëm.

“Qendra e Prishtinës përfundoi dje procesin zgjedhor të nisur në mars 2022 me zgjedhjet për nivelin e dytë organizativ. Falë angazhimit dhe punës së shumë prej jush procesi zgjedhor i zhvilluar me demokraci të drejtëpërdrejtë u përmbyll me sukses”,

Ai tutje është shprehur se pret që të ballafaqohet me sfidat edhe në këtë pozitë.

“Para nesh i kemi sfidat dhe mundësitë. Së bashku do t’i jetësojmë si aspiratë progresiste, si demokraci, si vlera socialdemokrate dhe si organizim gjithëpërfshirës shoqëror”.

Zgjedhjet e brendshme janë mbajtur dhe rezultati ka treguar atë që është thënë prej kohësh nga kundërshtarët e kësaj Lëvizje.

Albin Kurti është Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja Vetëvendosje është Albin Kurti.

Partia më e madhe në Kosovë me më së shumti votues e anëtarësi nuk ka arritur dot të prodhojë një kandidat të dytë në garën për kryetar partie dhe Kurti në garë me veten ka fituar në mënyrë absolute.

Nga numri i përgjithshëm i votave, Kurti mori 98.60 për qind pëlqim, me vetëm 0.89 për qind të votave kundër dhe 0.51 për qind abstenim.

Në njoftimin e Vetëvendosjes u tha se “Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt si rezultat i një pune të madhe që është bërë gjithandej nëpër qendrat e Lëvizjes”.

“Në këtë proces të gjatë janë strukturuar gjithsej 485 pika në 29 qendra”, thuhet në vazhdim të njoftimit për fitoren e Kurtit dhe përfundimin e procesit zgjedhor me sistemin “një anëtar, një votë”.

Në këtë proces të gjatë ka pasur shumë pakënaqësi. Në rreth 20 qendra ka pasur largime, pasi nuk janë lejuar të garojnë disa kandidat. Ata u kundërshtuan nga qendra në Prishtinë, që tashmë kishte vendosur se cilët janë kandidatët.

Në këto zgjedhje për herë të parë në Vetëvendosje është votuar edhe për kryetare të organizatës për gratë.

Në hapa të Kurtit dhe afër shifrave të tij ka dalur edhe Albulena Haxhiu – edhe kjo pa kundërkandidate.

Mbi 94 për qind kanë votuar pro Haxhiut, derisa vetëm 2.8 për qind kanë qenë kundër e 2.6 kanë abstenuar.

Gjithashtu, si risi ishte edhe zgjedhja e kryetarit të të rinjve të Vetëvendosjes.

Behar Jashari ka siguruar mbështetje prej 85.55 për qind të anëtarësisë. Edhe ky pa kundër kandidat, mori 7.55 për qind kundërshtim dhe 6.8 abstenuan.

Kurti i fiton të gjitha

Arben Vitia ishte favorit absolut në zgjedhjet e fundit komunale për kryetar të Prishtinës, por i humbi zgjedhjet nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Viti vinte nga një fitore masive që kishte arritur në zgjedhjet parlamentare, ku kishte marrë mbi 100 mijë vota.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vitia pati marrë 107 mijë e 813 vota, duke e bërë një nga më të votuarit në Kosovë.

Mirëpo, në garë me Përparim Ramën e LDK-së më pas, në raundin e balotazhit, ai mori vetëm 38 mijë e 958 vota, apo 48.93 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore