Lajme

Pas dy muajsh të mbyllur në kampe, mbi 500 afganë ikin nga Kosova drejt SHBA-ve


Ilustrim

Mbi 500 shtetas afganë të cilët ishin strehuar në Kosovë përgjatë muajve të fundit, janë larguar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, një numër i konsiderueshëm i tyre ende gjenden brenda territorit të Kosovës.

Ky eksod i tyre ndodhi pasi talebanët morën kontrollin mbi këtë shtet në muajin gusht.

Se mbi 700 prej tyre gjenden në Kosovë, e thonë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

“Që nga fundi i muajit gusht, në Kosovë kanë ardhur një mijë e 286 persona nga Afganistani. Ndërkohë, 528 afganë janë larguar për në SHBA dhe vende të tjera aleate. Në Kosovë ende qëndrojnë 758 persona”, thonë nga MPB për REL.

Kosova e cila ishte një ndër shtetet që i kishte hapur dyert për strehimin e qytetarëve afganë, të njëjtit institucionet e vendit i vendosën në dy kampe.

Afganët ishin dhe vazhdojnë të jenë të mbyllur në kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe në kampin tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka.

Ilustrim

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku shtetasit afganë që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

“Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, ishin fjalët e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kur në Kosovë arriti grupi i parë me 117 persona.

Përderisa mbesin të mbyllur në kampe, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ngritën dyshime nëse ka një plan konkret se çfarë do të ndodhë me qytetarët afganë që janë në Kosovë për verifikime shtesë para se të kompletojnë dokumentacionin për të nisur një jetë të re në SHBA.

Më katër shtator të vitit 2021, Ambasada Amerikane në Kosovë, pati theksuar se procesi i kompletimit të dokumentacioneve, si dhe verifikimet shtesë, kërkojnë një kohë më të gjatë.

Për këtë çështje, të kufizuara janë informacionet edhe në institucionet në Kosovës. MPB ende nuk ka treguar se çka pritet të ndodhë me afganët, të cilët, eventualisht, nuk e kalojnë verifikimin dhe janë të papranueshëm për të nisur një jetë të re në SHBA apo vende të tjera perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore