Lajme

Pas dorëzimit të “Kalyn-it”, ku është Denis Prokopenko?


Pas urdhrit të dhënë nga Kiev-i zyrtar për luftëtarët e bllokuar për gati tre muaj në fabrikën e çelikut në Mariupol, nuk dihet asgjë për fatin e tridhjetë vjeçarit Denis Prokopenko.

Një “urdhër” i përmendur, por jo i saktësuar qartësisht nga vetë komandanti në videomesazhin e tij të fundit në Telegram, ku shfaqej i dobët, me fytyrë të lodhur dhe me sy të futur.

Kështu shkruan e përditshmja italiane “Corriere della Sera” në artikullin e saj.

Ukrainasit flasin për evakuim, por Kryqi i Kuq ende nuk ka patur kontakt me më shumë se një mijë luftëtarët që dolën dhe u dërguan në territoret e kontrolluara nga rusët pas dorëzimit.

Atë dorëzim, të cilin Prokopenko deri tani e kishte refuzuar gjithmonë.

“Për të, t’i dorëzohesh rusëve do të thotë vdekje e sigurt”, kujtoi pak ditë më parë bashkëshortja e tij Katerina, e cila ndodhet në Itali për të takuar Papën.

Për Prokopenko-n kthimi për në shtëpi dhe evakuimi nuk mund të kalojnë nga territoret e kontrolluara nga armiku.

Për të “evakuimi” nënkuptonte strehim në një vend të tretë.

“Ka vetëm një rrugëdalje: të caktohet një palë e tretë për të kërkuar një marrëveshje dhe për të dhënë garanci për një evakuim të sigurt të civilëve dhe një korridor të gjelbër për ushtrinë”, u shpreh ai në një video me gazetën italiane.

Redis, siç quhet me nofkën që i kanë vënë shokët e tij, me sa duket mbetet ende në thellësitë e Azovstal-it në krye të asaj që ka mbetur nga rezistenca, ndërsa zëvendësi i tij, Sviatoslav Palamar, i njohur si Kalyn, është larguar.

E kaluara

Motivi i shndërrimit të një të diplomuari në gjuhë të huaja, i specializuar në mësimdhënien e anglishtes, në një kampion lufte dhe mbrojtës të atdheut duket se ka qenë origjina e tij, më shumë se e kaluara si ultras i Dinamo Kievit.

Familja e tij vjen nga Karelia, një rajon në kufi me Finlandën.

Gjyshi i tij ishte i vetmi i mbijetuar në shtëpi nga shfarosja e kryer nga Ushtria e Kuqe në luftën e vitit 1939 kundër Helsinkit.

Pas paqes, Karelia u aneksua në Bashkimin Sovjetik. Një e kaluar që i shfaqet sërish para syve Prokopenko-s.

Prokopenko po lufton që nga viti 2014. Ai filloi në Donbass në atë regjiment që ka komanduar që nga viti 2017.

I graduar së fundmi nga major në nënkolonel, ai mbledh grada dhe nderime (ky i fundit është titulli zyrtar i “Heroit të Ukrainës” i dhënë nga Zelensky, nderimi më i lartë ushtarak). Por ai me kënaqësi do t’i kishte ndërruar ato tituj me përforcime ushtarake.

E vetmja siguri tani pas dorëzimit të mbi një mijë luftëtarëve që dolën nga Azovstal është racionimi më i mirë i atyre pak ushqimeve të mbetura të mjaftueshme edhe për disa ditë të tjera rezistencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore