Lajme

Pas Bosnjës, NATO rrit koordinimin edhe me Shqipërinë


Autoritetet shqiptare janë në bisedime me NATO-n për të ndërtuar një bazë detare në Porto Romano, një port në ndërtim e sipër në Adriatik.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Aleanca nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

Kreu i qeverisë shqiptare zbuloi në një konferencë shtypi se Porto Romano, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.

Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria, sipas Ramës.

“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”, nënvizoi kryeministri.

Në muajin maj, Rama zbuloi se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare në Pashaliman.

Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetësesh në vitet ’50 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon.

Një ditë më parë, u publikua lajmi se specialistët ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohen në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kjo, për të përforcuar forcat e NATO-s në vend, sipas njoftimit të kryeministrit britanik Boris Johnson.

Qeveria britanike theksoi se Bosnja dhe Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh në periudhën e saj të pasluftës.

Kjo, pasi disa liderë që punojnë për të krijuar ndarje dhe konflikt të mëtejshëm në vend.

Me kërkesë të selisë së NATO-s në Sarajevë, një ekspert ushtarak britanik kundër dezinformimit dhe një këshilltar civil i mbrojtjes strategjike do të trajnojnë forcat e armatosura të Bosnjë-Hercegovinës.

Eksperti i kundër-dezinformimit do të kërkojë të forcojë si shtabin e NATO-s ashtu edhe aftësinë e vendit për të luftuar kundër ndikimit negativ, ndërsa këshilltari strategjik i mbrojtjes do të ndihmojë në reformimin e mbrojtjes në vend.

Boris Johnson theksoi se Ballkani Perëndimor nuk mund të lejohet të “bëhet një tjetër shesh lojërash për qëllimet e dëmshme të Putin-it”.

Mbretëria e Bashkuar ka një angazhim afatgjatë për paqen në rajon, duke filluar në vitet 1990 kur ushtarët britanikë ndihmuan përpjekjet humanitare në Luftën e Bosnjës – me forcat e Mbretërisë së Bashkuar që shërbejnë në vend që atëherë.

Njoftimi i kryeministrit Rama përkoi me njoftimin e Britanisë për dislokime ushtarake në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kjo e fundit, nënvizon koordinimin në rritje të NATO-s kundër kërcënimit të Rusisë, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore