Financa

Pas Bitcoin, edhe Kriptovaluta Ethereum shënon vlera rekord


Ethereum është kriptovaluta e dytë më e madhe për nga vlera dhe sasia në treg, pas Bitcoin. Të martën (16 shkurt) ajo arriti vlera të larta të padëgjuara më parë për të.

Pas Bitcoin, trendi i rritjes së vlerës së kriptovalutave konfirmohet edhe nga vlera rekord e Ethereum në 1938 dollarë. Me botën që jeton gjithnjë e më shumë dimensionet virtuale, financa padyshim që po e reflekton më së miri këtë ndryshim.

Kjo rritje i detyrohet tregtimit të instrumenteve financiare të kriptovalutës nga një agjenci prestigjoze e tregtimit financiar, Chicago Mercantile Exchange (CME).

CME vendosi të tregtonte instrumentet financiare të Ethereum, duke e bërë pjesë të ligës së të “mëdhenjve” në tregje financiare. Rritja e besueshmërisë sjell si pasojë direkte edhe rritjen e vlerës në tregje.

Një javë më pas, institucione të ndryshme janë përfshirë në tregtimin e aseteve të kriptovalutës.

Kjo javë është shenjuar nga debate për rritjen e Bitcoin-it, i cili gjendet në një vlerë rekord prej 52,640 dollarësh. Pesha e Bitcoin në tregjet valutore merr rëndësi edhe prej faktit se ka arritur të ruajë stabilitet përgjatë gjithë javës. 

Trendi i investimit të kompanive si Tesla e Mastercard në Bitcoin, është përkthyer në përfitim edhe për kriptovalutat e tjera. Ekspertët vlerësojnë se vlera e Ethereum do të arrijë deri në 2500 dollarë në tre muajt në vijim. 

Gjigandë të fondeve të investimit i mirënjohin avantazhet që sjell kriptovaluta, por nga ana tjetër hezitojnë të përdorin gjerësisht kriptovalutat për arsye të paqëndrueshmërisë së shfaqur më herët.

Megjithatë, askush nuk mund të kundërshtojë më se kriptovalutat janë pjesë e realitetit financiar botëror, e madje me peshë të rëndësishme. Ato do të jenë aktorë dhe faktorë në qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e tregjeve në botën virtuale.

Për referencë:  1 ETH = 198,962.22 ALL

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore