Shqipëria

Pas BE-së, edhe Këshilli Evropian heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë


Këshilli Evropian (KE), nëpërmjet një komunikimi për shtyp, ka shpallur të premten e 18 qershorit listën e vendeve – mes tyre dhe Shqipëria – ndaj të cilave janë hequr kufizimet e udhëtimit.

Pas rishikimit të KE-së, nën rekomandimin e Bashkimit Evropian (BE) për heqjen graduale të kufizimeve për udhëtimet, Këshilli përditësoi listën e vendeve, që përfitojnë prej saj.

Kjo listë do të vazhdojë të rishikohet çdo dy javë dhe, sipas rastit, do të përditësohet.

Që nga 18 qershori 2021, vendet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për shtetasit shqiptarë.

Gjithashtu kufizimet e udhëtimit do të hiqen gradualisht për rajonet e veçanta administrative të Kinës, Hong Kong-ut dhe Makao-s.

Kriteret, sipas të cilave u përcaktua vendimi për këto vende, janë se ato mbulojnë situatën epidemiologjike dhe reagimin e përgjithshëm ndaj COVID-19.

Si dhe besueshmërinë e burimeve të informacionit dhe të dhënave në dispozicion.

Si dhe besueshmërinë e burimeve të informacionit dhe të dhënave në dispozicion.

Vendet e lidhura me Shengen (Islanda, Lichtenstein, Norvegjia, Zvicra) gjithashtu marrin pjesë në këtë rekomandim.

Reagimi i ministres Xhaçka

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përshëndeti vendimin e Këshillit Evropian për ta shpallur Shqipërinë si “vend të sigurt”, për të lëvizur drejt vendeve të BE-së.

“Tashmë, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, sipas të njëjtit regjim me qytetarët evropianë”, shkruan Xhaçka në Twitter.

Më tej, ministrja e sheh këtë vendim si “një zhvillim të rëndësishëm, i cili njeh arritjet e Shqipërisë në luftën kundër COVID”.

Nga ana tjetër, Xhaçka paralajmëroi se vendet anëtare kanë protokolle specifike përtej këtij vendimi “ndaj duhet të lexoni informacionet e përditësuara rast pas rasti”.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca

Ndërkaq, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, e ka konsideruar një lajm të shkëlqyer heqjen e kufizimeve nga KE-ja. Kjo, në prag të sezonit turistik.

“Bashkimi Evropian rekomandoi sot zyrtarisht heqjen e kufizimeve të përkohshme të udhëtimit për qytetarët e Shqipërisë”, shkruan Soreca në Twitter.

BE-ja

Të mërkurën e 16 qershorit, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u dakordësuan për të hequr kufizimet e udhëtimit për tetë shtete. Mes tyre gjenden edhe tre shtete nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Këshilli i BE-së në maj hoqi zyrtarisht kufizimet për shtetasit e vendeve të treta, të cilat janë vaksinuar me dy dozat kundër COVID-19.

Pavarësisht se ky vendim prekte dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, fjala e fundit u takonte vendeve pritëse nëse i lejonin këta udhëtarë të kalonin apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore