Lajme

Pas BE-së edhe Gjermania e zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit


Jorn Rohde

Pas ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, është shprehur edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“Kjo është me të vërtet zhgënjyese dhe nuk është rruga që duhet ndjekur për të ecur përpara. Veçanërisht kur edhe organizatat joqeveritare të njohura në Kosovë si IKD e GLPS shprehin shqetësimin e njëjtë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Në anën tjetër sipas Szunyog, i cili ka reaguar të mërkurën për të njëjtën çështje në rrjetin e tij social në Twitter kishte potencuar se Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit të papranueshme e quajtën edhe Organizatat joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

“Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht”, shkruhet në reagimin e organizatave jo-qeveritare.

Këshilli Prokurorial sipas organizatave në fjalë ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe të sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit kanë integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Si rrjedhojë, rekomanduam që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore