Lajme

Pas atij të Pejës, shkarkohet edhe drejtori i burgut të Prizrenit – Loku për AP: Do të ankohem, është tendencioze


Heset Loku, ish-Drejtor i Burgut të Prizrenit

Përveç Drejtorit të Burgut të Pejës, Arif Beqa, të mërkurën me vendim të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, është shkarkuar edhe Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Heset Loku.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar vetë Loku, i cili këtë vendim e ka cilësuar si të qëllimshëm.

“Para pak minutave kam pranuar një vendim nga Ministria e Drejtësisë që jam shkarkuar. Është një vendim tendencioz i qëllimshëm i pa arsyeshëm në asnjë bazë juridike”, ka thënë Loku për AP.

Ai madje ka bërë të ditur se do të ankohet në të gjitha organet e mundshme të drejtësisë, pas vendimit për shkarkim.

“Jam ankuar edhe në këshillin e pavarur mbikëqyrës për transferin që më është bërë nga qendra korrektuese për femra në Lipjan në qendrën e paraburgimit në Prizren që ka qenë i pabazuar sepse brenda dy viteve kam pasur dy transfere, e cila nuk mbështet me Ligj”, ka shtuar ai.

Heset Loku më herët ka qenë Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa së fundi ishte transferuar në Prizren.

Ndryshe Loku ka qenë nënkryetar i Komunës së Kaçanikut në kohën kur këtë komunë e drejtonte Xhabir Zharku.

Arif Beqa, ish-Drejtor i Burgut të Pejës

Të mërkurën me vendim të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, nga pozita e Drejtorit të Burgut të Pejës është shkarkuar edhe, Arif Beqa.

Këtë për AP e ka konfirmuar vetë Beqa i cili ka qenë i tronditur nga vendimi.

“Vendimin e kam pranuar përmes e-mailit, aty shkruan se shkarkohesh nga detyra nuk ka diçka konkrete, jam i tronditur ”, tha Beqa për AP.

Sipas tij ai nuk e ka as idenë më të vogël se pse është shkarkuar nga detyra.

“Për disa hetime të mëparshëm, nuk ka ende diçka konkrete, arsyen nuk e di ende”, ka shtuar ai.

Ai madje ka bërë të ditur se do të shterë të gjitha rrugët ligjore, pas këtij vendimi.

“Do të ankohem në organet e drejtësisë. Nuk është vendim i drejtë, kam punuar me ndershmëri”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore