Lajme

Pas arrestimit në Veri, reagojnë nga Presidenca: Banditët e Radoiçiç’it do të sillen para drejtësisë


Shefi i Stafit të Kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, përmes një cicërime në Twitter, ka reaguar pas arrestimit të një të dyshuari për djegje të veturave në Veri të Kosovës dhe për sulme ndaj Policisë së Kosovës.

“Një i dyshuar për djegien e veturave të serbëve vendas në veri të Kosovës është arrestuar nga Kosovo Police. Një person me histori të gjatë kriminale!”, shkroi Vela në Twitter.

Ndërkaq, ai shtoi se komunitetet në veri të Kosovës mund të kenë besim tek Policia, dhe se banditët e Millan Radojçiç’it do të sillen para drejtësisë.

“Komunitetet lokale në veri mund t’i besojnë forcës policore multietnike. Banditë e Radoiçiç’it do të sillen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, tha ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës këtë të shtune ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar për djegjen e veturave në Veri të Kosovës.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale”, thuhet në njoftim.

“I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegjen e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari është i nacionalitetit serb, dhe i njëjti është arrestuar rreth orës 17:00.

“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore”.

Përveç djegjeve të veturave, policia njofton se i dyshuari akuzohet edhe për përfshirje në rastin e sulmit të njësisë së Policisë së Kosovës, “ku si pasojë dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit”.

“Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare””.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se “të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore