Aplikacione

Pas ankesave, dizajni i ri i Twitter-it do të rregullohet


Platforma Twitter është duke bërë ndryshime në ridizajnimin e ri, pasi përdoruesit janë ankuar për dhimbje koke dhe shqetësime.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ridizajnimi i ri i zbuluar javën e kaluar, kryesisht përfshin ngjyra me kontrast të lartë dhe një lloj shkrimi të krijuar me porosi të quajtur Chirp.

Atë kohë, platforma ka thënë se “mund të duket i çuditshëm në fillim”, por ai do të përmirësonte konsumin e përmbajtjes dhe do të sistemonte “rrëmujën vizuale”.

Por shumë përdorues mbetën konfuzë, pasi e kishin të vështirë të lexonin dhe ndjeheshin në parehati nga ndriçimi i tepërt.

“Është më e vogël dhe më e dendur tani, çka do të thotë se duhet të tendos sytë më shumë për të lexuar”, ka shkruar një përdorues.

Kurse një tjetër ka thënë se “është thjesht e pamundur të lexosh nëse dikush ka një dëmtim të shikimit”.

Pak ditë më vonë, një tweet i platformës njoftoi se “ne po bëjmë ndryshime kontrasti në të gjitha opsionet për t’i bërë ato më të lehta për sytë sepse na thatë se pamja e re është e pakëndshme për njerëzit me ndjeshmëri shqisore”.

Të nesërmen, kompania deklaroi se “ne kemi identifikuar probleme me llojin e shkrimit, Chirp, për përdoruesit e Windows-it dhe po punojmë në mënyrë aktive për ta rregulluar”.

Përveç këtyre, shumë përdorues janë ankuar edhe për llojin e ri të shkrimit në telefonat celularë.

Twitter-i, duke iu përgjigjur përdoruesve të shqetësuar, ka premtuar ndryshime në të ardhmen dhe ka siguruar se po merrte parasysh “reagimet e të gjithëve për llojin e shkrimit”.

Në janar, me shpalljen e llojit të ri të shkrimit, kreu i markës në Twitter Derrit DeRouen, ka thënë se ai ishte projektuar nga shkritorja e tipit zviceran Grilli, “për të përmirësuar mënyrën se si ne përcjellim emocione dhe papërsosmëri” dhe se hkronja standarde e përdorur gjerësisht, Helvetica, nuk ishte “e përshtatshme për këtë”.

Tanimë, përdorues të shumtë janë duke i kërkuar Twitter-it të përdorë Helvetica-n ose çfarëdo lloj shkrimi të paracaktuar në sistemin e përdoruesit.

Në përgjithësi, kompanitë e mediave sociale përballen shpesh me reagime të ashpra ndaj ndryshimeve.

Fillimisht, përdoruesit e Twitter-it kanë kundërshtuar një ridizajnim të vitit 2014 dhe më pas u ankuan për zëvendësimin e tij në 2017-n.

Me një reagim të ngjashëm është përballur edhe Snapchat-i në vitin 2018.

Përdoruesit e Facebook-ut poashtu kanë reaguar ashpër ndaj ndryshimeve përgjatë viteve si në dizajnin e tij ashtu edhe në algoritmet që fuqizojnë lajmet dhe diktojnë se çfarë të shohin përdoruesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore