Lajme

Pas “agresionit të Listës Serbe”, mbase duhet ndryshim i Kushtetutës, thotë Haziri për Albanian Post


Lutfi Haziri

Nënkryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, në një intervistë për Albanian Post e ka cilësuar si “agresion kushtetues” veprimin e Listës Serbe, e cila u ka siguruar vota personave të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas të njëjtit të futen në parlament të Kosovës dhe të kontrollohen nga ta.

Për Hazirin, “ndërhyrja në elektoratin e komunitetit turk, boshnjak, goran dhe rom, është agresion kushtetues sepse shihet shabllon i votimit të njëjtë në të gjitha komunat e Kosovës ku serbët janë pakicë si komunitet”.

Kryetari i Gjilanit është shprehur i habitur me numrin e madh të votave që kanë marrë komunitet tjera në Anamoravë.

“Në rrafshin e Anamorarvës në çdo komunë për partitë boshnjake edhe rome kanë siguruar 150 deri në 200 vota, në Anamoravë ka shumë pak familje boshnjake edhe gorane, komuniteti rom ka më shumë, por të tjerë nuk ka”.

“I bije që fshatrat serbe kanë votuar për parti boshnjake, për parti turke që nuk e ka kuptimin e dhënies së votës”, shtoi Haziri.

Për t’u pamundësuar ky manovrim i Listës Serbe, mbase do të duhej të ndryshonte Kushtetuta. Haziri vetë, por është i bindur se edhe partia të cilës i takon, do të ishin pro këtij ndryshimi.

Përkundër se e pohon tërthorazi, ai shprehet se LDK gjithmonë ka qenë pro ndryshimeve të tilla që e forcojnë unitaritetin e Republikës.

“LDK-ja gjithmonë është në interesin e Kosovës, funksionalitetin e shtetit duke e përfshirë Kuvendin, Presidentin, Qeverinë dhe Institucionet e tjera deri në rrafshin e drejtave të pakicave. Kemi pas rol pozitiv gjithmonë”.

Ai kujton një kohë kur serbët mund të përfundonin jo me 10, por me 20 ulëse të rezervuara. Pohon se pozicioni i LDK-së ishte kyç që kjo të mos ndodhte.

“Dikush ka dashtë që edhe ato 10 vende ma ia lënë gjithë jetën, por ne kemi thanë çka është boll është boll”.

Ish-zëvendëskryeministri për situatën e deformimit të vullnetit qytetarë fajëson edhe një pjesë të skenës politike kosovare.

“Ne jemi fajtorë, ne po dëshirojmë para tjerëve të dëshmojmë, pasi secili lider që i fiton zgjedhjet edhe pretendon me bë qeveri i zgjedh ‘serbët e vet’.

“Ju kujtohet koha kur i quanin serbët e Thaçit, dhe tash që quhen serbët e zotit Kurti dhe natyrisht këto bëjnë një raport të çuditshëm politik në Kosovë, ata duhet të vazhdojnë me përfaqësuar komunitetit e vet në mënyrën më të mirë, duhet me qenë patriotë të komunitetit të vet e pastaj të Kosovës”.

Deformimi i vullnetit të qytetarëve ka alarmuar partitë shqiptare, megjithatë janë treguar të pafuqishme të pengojnë strategjinë e serbëve.

Tani, në legjislaturën e ardhshme, pritet që përveç 10 deputetëve të vetë, lista të kontrollojë edhe tre ose katër deputetë të komuniteteve të tjera.

Megjithatë, pas presionit të madh publik dhe shkrimeve të shumta të mediave, Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’jeton asnjë boshnjakë i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore