Pas 50 vjetësh, çmimet Oscar i kërkojnë ndjesë aktivistes Sacheen Littlefeather

Vitjon Nina
16.08.2022 18:30
Loading Icons...

E gjitha mund të cilësohet si një ndër çastet më epike në historinë e çmimeve Oscar.

Marlon Brando, për rolin ikonik të Don Vito Corleone në filmin “The Godfather”, sapo kishte fituar çmimin si aktori më i mirë protagonist.

Në skenë, papritur, u ngjit një vajzë, qartësisht pjesë e fiseve të indianëve të Amerikës, me një letër në dorë.

Veshja e saj ishte në përputhje me atë imazh popullor të krijuar nga filmi “Pokahontas” dhe flokët i kishte të ndarë në dy bishtaleca, secilin të praruar me një tip kapseje me motive të indianëve të Amerikës.

U prezantua si aktiviste dhe emrin e kishte Sacheen Littlefeather.

Yjet më të mëdhenj të kinematografisë botërore, i kishin sytë veçse nga ajo, të shtangur se pse po dilte në skenë.

“Jam një ‘Apache’ dhe njëkohësisht presidente e Komitetit Kombëtar të Indianëve të Amerikës”, e nisi ajo fjalimin, duke lexuar letrën që mbante në dorë e duke iu dridhur zëri. “Po përfaqësoj këtu përpara jush, Marlon Brandon, në këtë mbrëmje”.

Ajo shpjegoi më tej se si aktori hollivudian, i kishte kërkuar që nëpërmjet një fjalimi shumë të gjatë, ajo t’i adresohej audiencës. Por, atë fjalim, ajo nuk mundej ta ndante me publikun.

Në të kundërt, me pak fjalë, por peshë të madhe, mbajti atë që njihet si fjalimi i parë politik në një ceremoni televizive të ndarjes së çmimeve Oscar.

“Marlon Brando nuk mundet ta pranojë këtë çmim dhe arsyeja, është mënyra se si trajtohen indianët e Amerikës në industrinë e filmit sot”.

Brohorima pakënaqësie, por edhe duatrokitje të mrekulluara, u lëshuan drejt saj.

Për 50 vjet, akademia e çmimeve Oscar ka mabjtur veçse një qëndrim ndaj kësaj “performance”: E dënojmë aktin që ndodhi atë natë.

Sot, pesë dekada më vonë, historia ndryshon.

Academy Awards, zyrtarisht, i ka kërkuar ndjesë Sacheen Littlefeather-it, e cila në atë kohë, ishte 26-vjeçare.

Sot, në të 75-tat, ende aktiviste, ajo është e përlotur nga vendimi i akademisë për kërkesën e ndjesës ndaj saj.

“Nuk e mendoja kurrë se do ta dëgjoja këtë gjë sa të isha gjallë”, tha ajo për të përditshmen amerikane “The Hollywood Reporter”.

Mirëpo dita erdhi dhe siç thotë shprehja e urtë popullore, më mirë vonë se kurrë!

Të fundit

Aktuale